Prifti palestinez Awad për sulmet e Izraelit: Po priten arteriet vitale të Palestinës

Elias Awad, udhëheqësi shpirtëror i komunitetit greko-ortodoks në qytetin e okupuar të Ramallahut në Bregun Perëndimor, sulmet izraelite ndaj Palestinës i cilësoi duke thënë “po priten arteriet vitale të Palestinës”.

Prifti Awad, i cili mori pjesë në “Samitin Evropian për Palestinën”, të organizuar në Pallatin Çırağan në Istanbul nga Forumi Evropian Musliman, Gjykata e Palestinës dhe Partia Yeniden Refah nga Türkiye, foli për Anadolu lidhur me sulmet izraelite ndaj palestinezëve, të cilat intensifikohen gjithnjë e më shumë.

Ai tregoi se në aktivitet po merr pjesë me një delegacion të përbërë nga klerikë muslimanë dhe të krishterë në kryesimin e kryegjykatësit të Palestinës, Mahmoud al-Habash. “Erdhëm nga Palestina e cila këto ditë është e lënduar. Po priten arteriet vitale të Palestinës nga njëri cep deri te tjetri. Veçanërisht, bijtë e popullit tonë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor u nënshtrohen sulmeve, shkeljeve dhe arrestimeve”, tha ai.

– “Populli palestinez, të krishterë-muslimanë është një. Të gjithë e mbrojmë në të njëjtën anë Palestinën”

Sipas tij, palestinezët, qoftë muslimanë apo të krishterë, u nënshtrohen sulmeve të Izraelit. “Populli palestinez të krishterë-muslimanë është një. Asaj që i nënshtrohen muslimanët, i nënshtrohen edhe të krishterët. Të gjithë e mbrojmë në të njëjtën anë Palestinën dhe gjërat tona të shenjta. Veçanërisht e mbrojmë Kudsin, i cili ekspozohet ndaj judaizimit”, tha Awad.

Prifti palestinez duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë kauzën palestineze, tha: “I bëjmë thirrje të gjithë botës të mbështesë kauzën tonë palestineze për krijimin e një shteti të lirë palestinez me Kudsin si kryeqytet”. Ai tha se paqja në Lindjen e Mesme do të vijë vetëm me themelimin e shtetin palestinez. “Si palestinezë, ne jemi të parët që zgjasim dorën për paqe”, theksoi ai.

– “Ashtu si u bombarduan xhamitë, u bombarduan edhe kishat”

Prifti Rawad, më tej duke folur për bombardimin e vendeve të adhurimit tha: “Vrasja e fëmijëve dhe grave të pafajshme është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe po shkatërron Palestinën. Sot botës i bëmë thirrje për ndalimin e luftës shkatërruese (në Palestinë). Si popull palestinez, nuk i shohim gjërat nga perspektiva e të krishterëve apo muslimanëve. Ashtu si u bombarduan xhamitë, u bombarduan edhe kishat. Ashtu si u bombarduan shtëpitë e muslimanëve, u bombarduan edhe ato të krishterëve”.

Awad tha se Izraeli i shpalli luftë të gjithë popullit palestinez, përfshirë të gjitha vendet e tij të shenjta, historinë, fshatrat dhe qytetet.

– “Këtë vit anuluam festimet e Krishtlindjes”

Prifti palestinez, Awad tha se këtë vit kanë anuluar festimet e Krishtlindjes dhe se do të bëjnë vetëm me ritualet fetare.

“Jemi në radhë të parë për ta mbrojtur kauzën tonë. Inshallah, Krishtlindja do të mundësojë krijimin e shtetit palestinez dhe çlirimin e palestinezëve dhe kjo do të jetë festa jonë”, tha ai. Në aktivitet morën pjesë drejtues të opinionit, klerikë, akademikë dhe politikanë nga 50 vende të ndryshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne