Bota

Princi i Arabisë: Arabia Saudite do ti “kthehet Islamit të moderuar dhe të hapur”

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman u zotua të rivendosë Islamin e “moderuar” që është i hapur ndaj të gjitha feve në botë. Arabia Saudite është e njohur për sundimin e saj ultra-konservativ

“Ne po kthehemi drejt asaj që ishim më parë, një vend islamik i moderuar, i hapur për të gjitha fetë dhe për gjithë botën”, tha ai në një forum ekonomik në Riad, citohet nga AFP. “Ne nuk do ti kalojmë 30 vitet e ardhshme të jetës sonë me idetë shkatërrimtare. Ne do ti shkatërrojmë ato sot dhe ekstremizmit do t’i japim fund shumë shpejt,” shtoi ai.

Rijadi është i njohur për respektimin e normave ultra-konservatore të Islamit dhe për veçimin strikt të burrave dhe grave. Arabia Saudite ka qenë prej kohësh vendi i vetëm në botë ku gratë zyrtarisht ishin të ndaluara për të ngarë makinën.

Herët këtë vit, princi i kurorës akuzoi Teheranin për promovimin e një “ideologjie ekstremiste” dhe për pasjen ambicie për të “kontrolluar botën islame.” I pyetur nëse kishte ndonjë hapësirë ​​për dialog me Iranin, princi 31- vjeçar u përgjigj: “Si mundet të jem në një mirëkuptim me dikë, qoftë edhe një regjim, që besimin e tij të ankoruar e ka të ndërtuar mbi një ideologji ekstremiste? ”

Ai tha se objektivi kryesor i “regjimit iranian është të arrijë pikën qendrore të muslimanëve (Mekën). Ne nuk do të presim që lufta të ndodhë brenda Arabisë Saudite por ne do të punojmë që beteja të jetë në anën tjetër, brenda Iranit, jo në Arabinë Saudite”.

Qeveria Saudite zbaton një version strikt të islamit sunit. Mbretëria e Arabisë Saudite drejtohet nga një monarki sunite e njohur si shtëpia e saudëve, ndërsa Republika Islamike e Iranit dominohet nga shizmi. Ndarjet ndërmjet sunitëve dhe shitëve bazohen në një konflikt fetar të gjatë që filloi si një mosmarrëveshje mbi pasardhësin e Profetit Muhamed. Ndërsa muslimanët shiitë besojnë se kushëriri i profetit duhet ta kishte kryer këtë rol, sunitët mbështesin përzgjedhjen e shokut dhe këshilltarit më të ngushtë të Muhammedit, Ebu Bekrin, si kalifi i parë i islamit.

Lidhjet diplomatike midis dy vendeve u ndërprenë në vitin 2016, pasi protestuesit iranianë sulmuan ambasadën saudite në Teheran, pas ekzekutimit të klerikut të shquar shiit Shejh Nimr al-Nimr në Riad. Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite u përgjigj duke akuzuar Iranin për ngritjen e “qelizave terroriste” brenda mbretërisë. Irani më pas lëshoi ​​një paralajmërim se “hakmarrja hyjnore” do të vinte mbi Arabinë Saudite si dënim për ekzekutimin e Shejh Nimrit si dhe për bombardimet e Rijadit ndaj Jemenit dhe mbështetjen për qeverinë e Bahreinit. Në shkurt të këtij viti, presidenti iranian Hassan Rouhani, gjatë një vizite në Kuvajt, aleatin e Arabisë, tha se Taherani dëshiron të rivendosë marrëdhënie dhe të përmirësojë lidhjet me të gjithë fqinjët arabe te gjirit./ Gazeta Impakt

burimi:rt

OPINIONE