Princi Muhammed bin Selman paraqet kartat e kurorëzimit të tij si mbret i ardhshëm…

Ai konfirmon se koha është në favor të tij në Jemen… Cilat janë shanset e suksesit të këtyre politikave kërcënuese? Si do të jetë përgjigjja e palës tjetër? Lexim në intervistën e tij më të rëndësishme televizive

Abdul Bari Atuan

Nuk ekzagjerojmë nëse themi se intervista televizive e realizuar nga kolegu ynë Daud al-Shirjan me princin Mohammed bin Selman – zëvendëstrashëgimtar i fronit mbretëror dhe ministër i mbrojtjes – e cila u transmetua mbrëmjen e së martës është një nga intervistat më të rëndësishme në historinë e Arabisë Saudite, pse jo, më e rëndësishmja në mënyrë absolute, jo për shkak të asaj që ajo përmbajti prej përgjigjeve, informacioneve dhe reagimeve, por edhe për shkak të kuptimeve e implikimeve politike lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.

Princi Mohammed bin Selman nuk foli në këtë intervistë si zëvendës i Princit të Kurorës (zëvendëstrashëgimtar i fronit mbretëror), as edhe si Princ i Kurorës, por si një mbret i kurorëzuar në fronin e vendit të tij. Kjo është hera e parë që një intervistë e tillë transmetohet në kanalet e ndryshme televizive saudite, qeveritare e private. Madje ajo është transmetuar në të njëjtën kohë edhe në kanale të tjera të vendeve të Gjirit, si dhe në kanale të tjera aleate si për shembull kanali televiziv “Abu Dhabi”. Ky është një precedent që nuk ka ndodhur më parë me asnjë nga mbretërit e Mbretërisë, e të mos flasim për princat, princat e saj të kurorës dhe zëvendësit e tyre.

Duke iu kthyer përmbajtjes – pra, temave që u prekën nga princi Mohammed bin Selman – ne gjejmë se objektivi kryesor i zgjedhjes së tyre, përqendrimi në aspektet ekonomike dhe shpjegimi i arsyeve për tërheqjen nga anulimi i kompensimeve për punonjësit e shtetit pas më pak se gjashtë muajsh, është qetësimi i qytetarit saudit dhe përpjekja për të absorbuar pakënaqësinë dhe zemërimin popullor që shtohet si ortek, si pasojë e politikave të kursimit, taksave indirekte, rritjes së çmimeve, e, si rrjedhojë edhe shtrenjtimi i kostos së jetesës. Mohimi i këtyre arsyeve nga ana e princit Bin Selman nuk nënkupton absolutisht mungesën e tyre.

***

Princi Bin Selman ishte i sigurt në vetvete, e kishte mësuar mirë mësimin, përdori gjuhën e shifrave dhe u zgjerua në çështjen e prosperitetit të një të ardhmeje të afërt, si p.sh. duke thënë se sektori minerar në Arabinë Saudite, ari, bronzi dhe hekuri (përveç naftës) është vlerësuar të ketë një vlerë rreth 1 trilion e 300 miliardë dollarë, dhe se fondet që rrjedhin nga shitja e 5 % të aksioneve të shoqërisë “ARAMCO” apo më shumë do të aktivizohen për të investuar në këtë sektor, duke u dhënë kështu mesazh qytetarëve se Mbretëria nuk është në prag të falimentimit dhe se ka alternativa të tjera përveç pasurisë së naftës.

Nuk duam të hyjmë në temat ekonomike e të përsërisim fjalët skeptike në lidhje me “Vizionin 2030” që mban emrin e princit Bin Selman për të ardhmen e Mbretërisë. Kjo është një çështje që u përket ekonomistëve. Por na tërhoqi vëmendjen një frazë e rëndësishme e cila u përmend në intervistë: thënia e tij se faktorët ekonomikë – dhe jo politikë – përcaktojnë politikën e naftës saudite dhe vëllimin e prodhimit. Porse realiteti nuk është absolutisht kështu. Interneti, arkivi i OPEC-ut dhe gazetat ekonomike globale, janë të mbushur me deklaratat dhe qëndrimet e udhëheqësve të Mbretërisë dhe ministrave të saj të naftës, të cilat thonë pikërisht të kundërtën. Në vitin 2014, me fillimin e rënies së çmimeve të naftës, Mbretëria rriti prodhimin e saj me më shumë se 1 milion e 200 mijë fuçi në ditë dhe kundërshtuan çdo reduktim të prodhimit për të ruajtur çmimet (çmimi ishte 110 dollarë për fuçi), në mënyrë që të shkaktonin gjendje paralize në ekonomitë e Iranit dhe Rusisë, dy vendeve që mbështesin regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad. Gjithashtu, Arabia Saudite dhe shtete të tjera arabe të Gjirit (Persik) ulën çmimet e naftës në vitin 1998 në më pak se 10 dollarë duke përmbytur tregjet me sasi të mëdha për të krijuar tepri dhe për të falimentuar presidentin Sadam Husein dhe regjimin e tij që kishte dalë nga lufta kundër Iranit që zgjati tetë vjet në mbrojtje të (vendeve arabe të) Gjirit, gjë që e çoi në pushtimin e Kuvajtit, krahas disa arsyeve të tjera.

Princi Mohammed bin Selman tha se forcat tokësore saudite munden t’i zhdukin Huthët dhe aleatin e tyre presidentin Ali Abdullah Saleh brenda disa ditëve nëse dëshirojnë, por ata i frikësohen rënies së mijëra të vrarëve prej ushtarëve sauditë si dhe civilëve jemenas. Dhe kjo është e vërtetë, sepse humbjet do të jenë shumë të mëdha. Mbretëria dhe qytetet e saj do të mbushen me shtëpi ngushëllimi. Por kjo, a nuk do të thotë se avionët e “Stuhisë së Vendosmërisë” gjatë dy viteve të fundit kanë vrarë mijëra civilë jemenas me shpresën për të thyer vullnetin e atyre njerëzve dhe duke i detyruar ata që të dorëzohen, por pa sukses, për shkak të rezistencës së popullit jemenas?! Kostoja humanitare ka qenë e lartë: 19 milionë jemenas ndodhen në prag të urisë, një fëmijë vdes në çdo 10 minuta sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, për shkak të bllokadës dhe bombardimeve të dendura ajrore ndaj çdo gjëje që lëviz në vend.

Nuk pajtohemi me princin Bin Selman kur thotë se “zgjatja e afatit të luftës në Jemen është në interes të Mbretërisë, sepse pala tjetër është e bllokuar dhe nuk i arrin asnjë furnizim”, edhe pse kjo i mohon të gjitha deklaratat që pretendojnë se Irani po mbështet Huthët me armë dhe raketa. Zgjatja e afatit të luftës do të thotë shterim financiar, humanitar e psikologjik për Mbretërinë dhe vendet e koalicionit arab që e mbështesin. Është më mirë për Mbretërinë që të heqë dorë nga kjo teori e gabuar sa më shpejt të jetë e mundur për të zvogëluar humbjet dhe për t’u distancuar – qoftë edhe pjesërisht – nga akuzat për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit në Jemen; akuza të cilat mund ta ekspozojnë ndaj sanksioneve ndërkombëtare dhe kompensimeve me vlerë qindra miliarda dollarë.

Një tjetër pikë që tërhoqi vëmendjen kur foli për aspektin politik, është mohimi nga ana e princit Bin Selman të ekzistencës së mosmarrëveshjeve me Egjiptin në lidhje me ishujt Tiran dhe Sanafir, duke i kthyer arsyet tek “mediat ikhvaniste” dhe duke theksuar se fati i dy ishujve është vendosur në favor të sovranitetit saudit dhe se “Ura e Mbretit Selman” do të hyjë në fazën e implementimit brenda dy viteve më së shumti. Këto deklarata mund t’i shkaktojnë Mbretërisë probleme në dy aspekte: e para, me lëvizjen Vëllazëria Myslimane dhe degëzimet e saj në Egjipt dhe jashtë vendit – madje edhe në Jemen, ku Partia (ikhvaniste) e Reformave lufton në krah të Mbretërisë; dhe e dyta, me median egjiptiane (kryesisht jo-ikhvaniste), e cila në përgjithësi e kundërshtoi heqjen dorë nga ana e Egjiptit ndaj dy ishujve dhe mbështeti dispozitat gjyqësore që ishin konform pikëpamjes së saj.

***

Princi Bin Selman i mbylli të gjitha dyert e dialogut me Iranin. Ai tha: “Si të komunikoj me një sistem që bazohet mbi një ideologji ekstremiste të përcaktuar në testamentin e Imam Khomeinit dhe e cila obligon kontrollin e botës islame, të shenjtëroreve të tij, përhapjen e doktrinës Xhaferite Dymbëdhjetimamëshe (mez’hebi xha’feri ithna’sheri) dhe krijimin e klimës së favorshme për kthimin e Mehdiut të Pritur?!” Ai e përfundoi fjalën e tij me një frazë shumë të rrezikshme, duke thënë: “Ne nuk do të presim derisa të vijë beteja në Arabinë Saudite. Ne do ta transferojmë betejën tek ata, në Iran, pasi ata duan të shtien në dorë Kiblen e myslimanëve”.

Transferimi i betejës në Iran do të thotë trazira të brendshme dhe revolucionarizim i pakicave sektare e etnike (veçanërisht sunite) – të tilla si arabët (Khuzestan), beluçët (në juglindje të Iran), azerët dhe kurdët fejlitë -, si dhe furnizimi i tyre me para e armë, ngjashëm me atë që ka ndodhur e po ndodh në Siri, Irak e Jemen dhe para tyre në Afganistan. Ai që e lëshon këtë kërcënim është ministri i mbrojtjes, biri i mbretit dhe vendimmarrësi kryesor në Mbretërinë e Arabisë Saudite. A dëshiron Arabia Saudite të hapë një front të ri me Iranin? A mund t’i përballojë pasojat financiare dhe politike, në të njëjtën kohë kur ajo u është futur luftërave në Jemen dhe në Siri? Ç’lidhje ka ky përshkallëzim saudit me projektin amerikan, për përpjekjen e krijimit të një “NATO-je islamike” që do t’i kundërvihet Iranit? Pastaj, si do jetë reagimi iranian në këtë rast?

Kjo intervistë e princit Mohammed bin Selman është shumë e rrezikshme. Çdo fjalë dhe çdo frazë në të ka nevojë për analizë dhe përsiatje. Por më e rëndësishmja në gjithë këtë, është se ajo parashikon ndryshime të afërta në strukturat e qeverisë saudite. Ato filluan me nënshkrimin nga ana e monarkut saudit të 42 dekreteve mbretërorë, me anë të të cilëve urdhërohet emërimi i disa princërve të rinj (në detyrë) dhe të rinj në moshë, të afërt me zëvendëstrashëgimtarin e fronit mbretëror. Këto dekrete mund t’i paraprijnë dekretit më të rëndësishëm, që është kurorëzimi i princit Bin Selman si princ trashëgimtar dhe mbret de facto i Arabisë Saudite, në pritje të momentin të kurorëzimit zyrtar.

Arabia Saudite qëndron në prag të ndryshimeve politike dhe strukturore të papara dhe po hyn me shpejtësi në epokën e një princi kurore apo të një mbreti të quajtur Mohammed bin Selman, vetëm në rast se ndodh ndonjë mrekulli e brendshme e fortë që do t’i përziejë kartat… Koha është ajo që do na tregojë.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 3 maj 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne