Prishtinë, mbi 2 mijë qytetarë dalin në provën për protestë në përkrahje të Vetëvendosjes

Mbi 2 mijë qytetarë kanë dalë sot në sheshet e Prishtinës përballë Qeverisë dhe Kuvendit, me maska dhe duke ruajtur distancën sociale për shkak të koronavirusit, për t’u bërë pjesë e organizimit që është quajtur si “test-protestë” në përkrahje të Vetëvendosjes dhe për të kërkuar zgjedhje të reja parlamentare.

Test-protesta e organizuar nga Vetëvendosje vjen një ditë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pritet të vendosë rreth dhënies ose jo të drejtë Avdullah Hotit, kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si partia e dytë më e madhe në zgjedhjet e fundit, për ta formuar qeverinë e re. Hoti u caktua si mandatar më 30 prill nga presidenti Hashim Thaçi, por dekretin e tij Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese për shqyrtim dhe tani pret vendim.

Test-protesta nisi me thirrjet “Duam zgjedhje”, “Albin Kurti”, “Vetëvendosje” e “Zgjedhje po, hajna jo”, e gjithashtu u shpalos edhe një stendë afishimi ku me shkronja të mëdha shkruante “zgjedhje”.

Tubimi nisi pas orës 16:00, ndërsa përfundoi rreth orës 17:30, ndërsa para se protestuesit të shpërndaheshin, nga tarraca e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës u përshëndetën nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Kjo provë për protestë është paralajmëruar me 3.500 deri në 5.000 qytetarë, ndërkohë që javë më parë një e tillë ishte mbajtur me rreth 500 qytetarë, por për të cilën VV-ja kishte thënë se nuk e ka organizuar.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin u votua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash më 3 shkurt, ndërsa më 25 mars nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të organizuar nga partneri qeverisës i Vetëvendosjes, LDK, u votua pro rrëzimit të qeverisë. Që nga 25 marsi, qeveria vazhdon punën në detyrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 1 maj nëpërmjet një vendimi ka bërë të ditur se e ka pezulluar dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Kosovës si kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e re, deri më 29 maj, kur pritet që ajo të merr një vendim të ri. Për këtë presidenti Thaçi tha se duhet ta respektojnë procesin elektoral të 6 tetorit dhe ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne