Priten 50,000 protestues në Romë kundër luftës në Gaza

Rreth 50,000 persona pritet të marrin pjesë sot në një protestë masive në kryeqytetin italian, Romë, në mbështetje të popullit palestinez në Gaza, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ANSA. Tubimi është organizuar nga një koalicion i partive të majta, të cilat kanë dënuar ashpër ofensivën izraelite dhe krizën humanitare që po përjetojnë civilët palestinezë në Rripin e Gazës. Organizatorët e kanë cilësuar ngjarjen si një akt solidariteti dhe thirrje për ndaljen e menjëhershme të bombardimeve dhe përfundimin e pushtimit.

Megjithatë, protesta ka ngjallur polemika. Komuniteti hebre në Itali ka shprehur shqetësim, duke kritikuar faktin që demonstrata fokusohet vetëm tek viktimat palestineze dhe jo tek ato izraelite, sipas raportit të ANSA.

Edhe Lëvizja e Studentëve Palestinezë në Itali ka marrë distancë nga protestuesit, duke i akuzuar organizatorët se po përdorin kauzën palestineze për përfitime politike.

Pavarësisht zërave kritikë, demonstrata pritet të jetë një nga më të mëdhatë në Evropë që i bashkohet thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim dhe drejtësi për popullin e Gaza-s, i cili po përballet me shkatërrim, urie dhe vuajtje të papërshkrueshme për shkak të agresionit të vazhdueshëm izraelit. /mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne