Priten arrestime të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme

Ministria e Brendshme duket se është përfshirë në një sërë skandalesh, së fundi me blerjen e BMW-së luksoze, blerë për  Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj në kulmin e pandemisë. Mjeti është blerë nga Policia e Shtetit, për t’iu vënë në shërbim ministrit, për të cilin ende Policia e Shtetit dhe as DPSHTRR ende nuk sjellin dokumentet publike, në zbatim të ligjit. Pra, vazhdojnë t’i mbajnë ato konfidente.

Sipas të dhënave të siguruara nga CNA.al të cilat mund të gjenden lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në internet, ku shihet se modeli BMW i blerë nga ministri shkon edhe 100 milionë lekë. Ndërsa ministri thotë se e ka blerë atë 50 mijë euro.

Por, në fakt në momentin që CNA.al ka publikuar skandalin në fjalë, mjeti nuk ishte zhdoganuar dhe ka qarkulluar me targa falso. Sipas të dhënave që disponon CNA.al ato kanë qënë në emër të institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Por, një skandal tjetër më i madh duket se ka shoqëruar Ministrinë e Brendshme, pas largimit të djeshëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Plarent Ndreca, duket se gjithçka nuk fillon dhe nuk mbaron thjeshtë tek blerja e makinës luksoze, në kulmin e një krize pandemie dhe pas tërmetit katastrofal të 26 nëntorit 2019.

Lleshaj me makinen luksoze, para Parlamentit

Por, edhe disa tendera të zhvilluara nga ky institucion, ku pritet që të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK.

CNA.al ka mësuar nga burime konfidenciale se një nga dosjet më korruptive dhe më problematike në institucionin e Ministrisë së Brendshme ka qënë ajo e tenderit të veshjeve, dorëzuar në SPAK nga deputeti i opozitës, Myslim Murrizi.

Deputeti Murrizi dorëzoi kallëzimin në SPAK në datën 3 gusht 2020.

Sipas Murrizit ky tender i është dhënë një kompanie gërmimi dhe prandaj duhet të hetohet.

Ndërsa në 29 korrik, në seancën parlamentare, Murrizi tha se “Në datë 14 korrik ministria e Brendshme ka bërë një tender 23 milion euro për uniformat, tender i nisur para një viti, i ngecur në ingranazhet e korrupsionit, e bëtë tender unik pa vite. Në garë tre kompani. Kompania turke ofroi 4.2 mln euro më pak dhe shpallët fituese kompaninë DE e cila ka në objektin e saj sipas regjistrimit në QKB, gërmime dheu dhe shkëmbime tregtare. E ulët 30% kategorinë e artikujve që ofron dhe nuk keni ulur asnjë qindarkë nga çmimi.”

Burimet zyrtare i thanë CNA.al se hetimet janë thelluar, disa zyrtarë janë përfshirë në skandalin e kësaj dosje.

Tashmë mesa duket Sandër Lleshaj veç problemit të blerjes së mjetit dhe debatit publik, ku justifikohet se makina nuk është e tij dhe kushton vetëm 50 mijë euro, duhet të sqarojë publikisht sesi vartësit e tij kanë zhvilluar një tender skandaloz të zhytur në korrupsion dhe tashmë në pritje të prangave nga SPAK./ CNA

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne