Problematikat e sigurisë në pallate! Nga mungesa e sensorëve të tymit, te mungesat e daljeve emergjente

Masat parandaluese për zjarret në objektet e banimit duket se janë kthyer në një nevojë emergjente, duke parë dhe ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi me përfshirjen nga flakët të godinave të ndryshme. Problematika është jo vetëm për pallatet ekzistuese por edhe për ndërtimet e viteve të fundit.

“E para nis me dedektimin e zjarrit pra vendosja e sensorëve të tymit të zjarrit në banesa që japin informacion real në çfarë dhoma në çfarë kati në çfarë zyre ka rënë zjarri dhe e dyta ka të bëjë me hidrantët, për mbajtjen nën kontroll të zjarrit, derisa të vijë shërbimi zjarrfikës. Faktikisht këto mungojnë në shumë objekte dhe është e papranueshme që ndërtime të vitit 2023 ku m2 ka arritur 1500-2000 euro, mos të jenë të vendosura, të paktën në ato ambiente të përbashkëta ku ka mbingarkesë njerëzish”, tha inxhinieri Azem Dulevic.

Shqetësuese është edhe fakti që në godinat ku të tilla masa janë të vendosura, shpeshherë ato janë jofunksionale.

“Përveç pjesës së ndërtimeve duhen parë dhe ambientet publike që kanë shërbime, shkolla, institucione apo edhe bar-restorante që me rastin e festave të fundvitit shpeshherë janë të tejmbushura dhe në rastin e një avarie mund të sjellin pasoja katastrofale sa i përket sigurisë. Ndërsa ato objekte që i kanë të implementuara shpeshherë nuk janë funksionale sepse mungon kontrolli periodik çdo 6 muaj ose 1 vit dhe shpeshherë këto vendosen thjesht për të marr lejen e shfrytëzimit por faktikisht dhe fatkeqësisht nuk funksionojnë”, tha inxhinieri.

Edhe shkallët e emergjencës janë të dobishme në rastet e zjarreve, pasi do të ndihmonin në evakuimin e qytetarëve. “Shkallët e emergjencës janë shkallë portative të jashtme por duhet të jenë të implementuara të paktën në godinat shumëkatëshe sepse nëse ndodh një problem qytetarët ta kenë më të thjeshtë për tu evakuuar madje shpeshherë në institucionet qofshin dhe arsimore këto vendosen dhe thjeshtë janë fiktive sepse shpeshherë janë të mbyllura me çelës”, -shtoi Dulevic.

Ndërhyrja e zjarrfikësve është e domosdoshme në rastet e zjarreve, për të parandaluar përhapjen e flakëve si dhe për të shmangur rrezikimin e jetës së qytetarëve./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne