Projekti i “binjakëzimit të shkollave”, nxënësit kosovarë udhëtojnë në Turqi

Rreth 500 nxënës të cilët mësojnë turqishten në Institutin “Yunus Emre” në Kosovë do të udhëtojnë për Turqi me ç’rast do të kenë mundësinë e praktikës së turqishtes, të shëtitjes së Stambollit dhe të Ballëkesirit si dhe të njoftimit me kulturën e këtij vendi nga afër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Instituti “Yunus Emre” (YEE) në Kosovë thuhet se në bazë të iniciativës së kryetarit të Komunës së Karesit Yücel Yılmaz dhe me mbështetjen e Institutit “Yunus Emre” në Kosovë, nxënësit të cilët mësojnë turqishten do të kenë mundësinë e vizitës së Ballëkesirit dhe Stambollit nga afër.

“Nxënësit e pesë shkollave nga fshati i Jupës në Prizren dhe nxënësit e shkollës ‘Mehmet Akif’ të fshatit Shushicë i cili njihet si vendlindja e babait Mehmet Akif Ersoj, përgatiten që të shkojnë në Karesi. Nxënësit kosovarë të cilët mësojnë gjuhën turke, do të akomodohen në shtëpitë e nxënësve të shkollës së mesme ‘Karesi Mehmet Şeref Eğinlioğlu’, të cilët përveç mundësisë së njoftimit në mes vete dhe praktikës së gjuhës turke do të mësojnë për kulturën, shtetin e Turqisë dhe do të kenë mundësinë e prezantimit në aktivitetet kulturore”, thuhet në njoftim nga YEE.

Edhe udhëheqësit dhe mësimdhënësit e shkollave do të kenë mundësi për shkëmbimin e përvojës së punës

YEE bën të ditur se pjesë e programit nuk do të jenë vetëm nxënësit që kanë mësuar turqishten nëpërmjet Institutit “Yunus Emre”, por edhe drejtorët dhe mësimdhënësit e tyre. Ndërkaq, pritet që në të ardhmen edhe nxënësit turq së bashku me drejtorët dhe mësimdhënësit e tyre të realizojnë një vizitë në Kosovë.

“Drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit do të kenë rastin e realizimit të një sërë vizitash nëpër shkollat e Karesit dhe rrethinës. Me këtë rast udhëheqësit e shkollave dhe mësimdhënësit do të kenë mundësinë e ndarjes së përvojave të punës në mes vete. Gjithashtu pritet që në mes shkollave të nënshkruhet protokolli i ‘binjakëzimit të shkollave’”, bëhet e ditur nga YEE.

“Me anë të kësaj vizite do të krijohen mundësitë e ndërtimit të urave miqësore mes Turqisë dhe shtetit vëlla të Kosovës”

Lidhur me projektin drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë tha se “Me anë të kësaj vizite do të krijohen mundësitë e ndërtimit të urave miqësore mes Turqisë dhe shtetit vëlla të Kosovës, si dhe do të krijojë rrjetin e bashkëpunimit në mes të Komunës së Karesit dhe Kosovës. Gjithashtu besoj se kjo vizitë do të jetë shumë e dobishme për nxënësit të cilët mësojnë gjuhën turke ku do të kenë mundësinë e futjes në praktik të gjuhës nga afër”.

Ndryshe, kjo vizitë do të realizohet mes datave 2-7 maj 2017.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne