Projekti i rrugës Vlorë-Orikum, Presidenca i përgjigjet Ramës: Inskenime e deklarata të papërgjegjshme, Meta s’lejon asnjë shkelje të Kushtetutës

Presidenca i është përgjigjur kryeministrit Rama lidhur me akuzat e këtij të fundit se Ilir Meta si President bllokon projektin e rrugës Vlorë-Orikum.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka publikuar një shkresë duke theksuar se në disa raste Meta ka kërkuar informacionev nga Ministria e Financave dhe ajo e Jashtme lidhur me marrëveshjen e huas me Fondin Saudit për Zhvillim.

Sipas Blushit, shkelja qëndron në faktin se nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Presidenti, për të negociuar termat financiarë të kësaj marrëveshje huaje.

Në reagim theksohet se kryeministri synon që në shkeljet e marrëveshjes të përfshijë edhe Presidentin, por nga ana tjetër siguron se Presidenca nuk do i lejojë asnjë shteg Ramës që fondet shtetërore t’i shpërdorojë për qëllime selektive elektorale.


REAGIMI NGA PRESIDENCA

Pas inskenimeve dhe deklaratave të papërgjegjshme, të bëra sot në Vlorë, nga Kryeministri ende në detyrë, për nevoja të propagandës së tij elektorale, jemi të detyruar të bëjmë publik qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta: “Mbi përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e ‘Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)’”.
Nga kjo letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, evidentohet qartë se Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.
Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces.
Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës.
Presidenti Meta, garanton qytetarët e Qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se është i vendosur të mbrojë interesin publik dhe njëkohësisht do të respektojë kërkesat e tyre për investime publike, pa i lënë shteg Kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale.


/BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne