Projekti/ Zbulohen emrat e oligarkëve që Basha do t’u sekuestrojë pasuritë

Prej kohësh PD-së i është kërkuar të flasë me emra dhe sot ajo ka bërë një hap serioz në këtë drejtim. Në një tubim, ku ka shpalosur idetë e saj për “Çlirimin e ekonomisë nga oligarkët”, PD ka hartuar edhe një listë se kë cilëson ajo si biznesmenët më të mëdhenj që kanë përfituar para publike nga Rama, duke i kushtuar xhepave të shqiptarëve plot 2,2 miliardë euro.

Ata sipas PD janë:

 Vilma Nushi – përfituese e koncesionit të Check-Up it (120 milionë euro);

Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari – përfituesit e koncesionit të ndërtimit dhe mirëmbajtes së rrugës Milot- Morinë;

Shkëlqim Demir Fusha – përfituesi kryesor nga Ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar

Klodian Zoto – përfitues i koncesioneve të ndërtimit dhe menaxhimit të inceneratorëve të Tiranës (128 milionë euro), Fierit (28 milionë euro) dhe Elbasanit (22 milionë euro);

 Bashkim Ulaj – përfitues i koncesionit të ndërtimit të rrugës Tiranë- Thumanë- Vorë (225 milionë euro);

 Idajet Ismailaj – përfituesi i ndërtimit të stadiumit kombëtar dhe kullës 24-katëshe;

 Gentian Sula – përfitues i koncesionit të kontrollit të instrumenteve matës të karburantëve dhe gazit të lëngshëm;

Arjan Leskaj – përfitues i ndërtimit të hekurudhës Fier- Ballsh- Vlorë

 Edmond Bego – përfitues i lejeve minerare në Elbasan;

 Rrok Gjoka – përfitues i ndërtimit dhe menaxhimit të Rrugës së Arbrit (268 milionë euro);

 Ilir Rrapaj – përfitues i koncesionit të sterilizimit (77 milionë euro);

Jani Karathano – përfitues i koncesionit të shërbimeve laboratorike (104 milionë euro);

Por përpos listës së emrave që kanë përfituar sipas PD në mënyrë të parregullt nga PPP e Koncesionet dhe çmimeve se sa është fatura ekonomike e këtij dëmi, PD ka treguar edhe se ç’do të bëhet në të ardhmen për të sekuestruar pasurinë e vënë në mënyrë të paligjshme të këtyre oligarkëve.

Ajo parashikon disa amendime në ligjin Anti Mafia që u lënë barrën e provës këtyre biznesmenëve të tregojnë se si i kanë bërë paratë. Në të kundërt ata do të përballen me sekuestrimin e pasurive.

Megjithëse propozimi në letër duket serioz dhe një kërcënim real për ata pesë ose dhjetë “të pasur” që po bëjnë kërdinë në bashkëpunim me Ramën, Taulant Balla u shfaq në parlament duke bërë ironi me Bashën. “A ka shqiptar që e beson se Luli do të sekuestrojë pronat e oligarkëve, kur siç tregoi edhe emisioni “STOP”, kompania e bashkëshortes dhe kunatit të tij paguhet për konsulencë nga të njëjtët oligarkë”, pyeti ai?

Dhe sipas teknologjisë tashmë të njohur, të gjitha mediat e mëdha u munduan automatikisht ta “balancojnë” nismën e opozitës duke i dhënë të njëjtën kohë në lajme batutës të Ballës.

Por, propozimi i sotëm, me shifra, me emra dhe me një propozim konkret se ç’duhet bërë me pasuritë e oligarkëve shkon përtej këtij cic- mici që transmetojnë çdo ditë mediat tradicionale.

Ajo e tejkalon edhe vetë Lulzim Bashën dhe faktin nëse është ai i aftë apo jo të sekuestrojë pasuritë e atyre që kanë financuar edhe PD-në dhe atë vetë.

Nëse Basha nuk ka këllqe ta bëjë, këtë do të vijë koha të kryej dikush tjetër. E rëndësishme është se tema e ndëshkimit të oligarkëve që ndajnë paratë me Ramën, deri më tani tabu, po përfilitet gjithnjë e më shumë. Po ashtu edhe fakti se ata një ditë do të “paguajnë”.

Natyrisht që sot ne nuk kemi sigurinë se kjo do të ndodhë me ardhjen e Bashës në pushtet, por ne së paku kemi një listë që do t’i qëndrojë si gur në qafë opozitës së sotme.

Burimi: Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne