Propozimi i Bardh Spahisë: Djaloshit nga Tetova Benjamin Ferati t jepet një medalje për heroizmin e tij

Përmes një statusi në ‘Facebook’ kreu i Departamenti të Emigracionit dhe Diasporës në PD dhe deputeti i ardhshëm, Bardh Spahia ka reaguar për ngjarjen në Vlorë ku brenda një dite u mbytën 4 persona.

Spahia sjell në vëmendje premtimet e kryeministrit Rama për shërbimet e rojeve në plazhe, ndërsa bën përgjegjës pikërisht kryeministrin i cili sipas tij po tregon indiferencë totale përballë kësaj situate. Ai propozon gjithashtu që të riut Benjamin Ferati i cili humbi jetën duke u munduar te shpëtoje dy jetë njerëzish t’i akordohet një medalje për aktin e tij.

Ja çfarë shkruan Bardh Spahia në Facebook:

Të nderuar miq!

Dje katër të rinj humbën jetën në plazhet tona. Në këtë absurd të madh që përfaqëson turizmi në Shqipëri, me kushte skandaloze, mungesë uji, dritash, ndotje ekstreme të plazheve, trafik të rënduar e çmime stratosferike, mbivendoset dhe mungesa totale e sigurisë.

Ku janë shërbimet e rojeve të plazheve të reklamuara me aq pompozitet pak kohë më parë e të sanksionuara sipas një VKM të vitit 2016??! Nuk funksionojnë në asnjë pikë të bregdetit nga Velipoja në Sarandë, për të mos folur pastaj për qindra pishinat e shpërndara kudo nëpër vend. Asnjë sinjalistikë që të tregojë vendet e rrezikshme me shkëmbinj apo rryma nënujore.

Përballë kësaj situate alarmante në pikun e sezonit vjen indiferenca totale e Kryeministrit që sot si për ironi e fillon ditën me pamje nga bregdeti i betonizuar i jugut. Asnjë reagim për 4 jetët e humbura, as me i vogli ngushëllim për familjarët e tyre e për më tepër asnjë premtim që nesër diçka do të ndryshojë në drejtim të sigurisë së jetës të pushuesve.

Në fund dua ta mbyll me një propozim, që pasi të jetë qartësuar dinamika e ngjarjes, të riut Benjamin Ferati i cili humbi jetën duke u munduar të shpëtojë dy jetë njerezish… “Ti akordohet një medalje për aktin e tij sublim”.

Do ishte në nderin tonë ti shprehim mirënjohjen e thellë për këtë akt heroik ekstrem. Kam bindjen që shpreh edhe mendimin dhe dëshirën e çdo shqiptari.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne