Protesta e veteranëve në Tiranë rindez tensionet mes Ramës dhe Kurtit

Një protestë e thirrur në Tiranë nga veteranë, ithtarë të ish-komandantëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, aktualisht të burgosur në Hagë, shërbeu si fitil për të ndezuar edhe një herë tjetër fërkimet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit të cilët duken të destinuar të mos bien dakort për asgjë në politikë.

Shkak u bë përfshirja e Tiranës kundër proceseve të ish-komandantëve të UÇK-së, me një shkelje syri nga qeveria e Ramës që e fton protestën të zgjerohet përtej kufirit, një akt që nuk është parë me sy të mirë nga Vetëvendosje. Në sfond janë zgjedhjet lokale, rezultati i të cilave e la Albin Kurtin mes një vijë shumë të hollë, që ndan fitoren dhe humbjen e balotazheve të 9 nentorit.
Ndaj sapo ka ndjerë prezencën e Edi Ramës në lojë, Lëvizja VETËVENDOSJE ka sulmuar hapur duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama “të tregojë të paktën një minimum pendese” për rolin e tij në mbështetjen e themelimit të Gjykatës Speciale, duke rikujtuar se si udhëtonte ai me helikopter në mënyrë urgjente për të bindur Thaçin të ngrinte institucionet që sot po e mbajnë të burgosur.

Lëvizja thekson se, në vend që të protestojë në Sheshin “Skënderbej”, Rama dhe institucionet shqiptare duhet t’i adresojnë çështjet në forume ndërkombëtare, aty ku vendoset për drejtësinë, OKB, Këshilli i Evropës, OSBE apo NATO.

“Institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë” thuhet në mesazh.

Sigurisht që kur risjell në mendje imazhet 2015, Rama që zbret nga helikopteri, takimet me Hashim Thaçin…etj qëllimi i Vetëvendosjes është që të nxjerrë në pah hipokrizinë e një politikani që dje ishte hapur në përkrahje të Gjykatës Speciale, ndërsa sot i fton qytetarët e Kosovës ta dënojnë institucionin me një protestë në mes të Tiranës.

Reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm. Ai e quajti sulmin e LVV-së si një “çarçaf” dhe kujtoi se Vetëvendosje 10 vite më parë nuk njihte himnin e Kosovës, ndërsa qëndrimet e tij para 10 vitesh “erdhën për interes të Kosovës”, duke rikujtuar se ai ka qenë lobues për lirimin e Hashim Thaçit dhe se Gjykata Speciale u ngrit “për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”. Rama gjithashtu tha se nuk është organizator i protestës dhe se nuk do t’i bashkohej as si qytetar i thjeshtë, pasi nuk preferon ta politizojë atë. Megjithatë shpjegimi u duk jo vetëm pamjaftueshëm për VV, por edhe i pasinqertë.

Sepse ndërkohë që pranon se nuk është organizator i protestës, Rama dha një sinjal se e mbështet atë kur urdhëroi heqjen e taksës në rrugën e kombit për të gjithë ata që do të udhëtojnë nga përtej kufirit në datat 17 dhe 18 tetor.

Pas kësaj, Kurti ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit të Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, duke i kërkuar Ramës përgjigje të qarta mbi tri pika thelbësore: 1) A është e vërtetë që Rama erdhi me helikopter për të lobuar për themelimin e Speciales? 2) Cili ka qenë qëndrimi i Vetëvendosjes historikisht ndaj Speciales? 3) Dhe, në cilat forume ndërkombëtare Rama ka ngritur pretendimet për padrejtësi ndaj Kosovës në Hagë

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzoi Vetëvendosjen se po përpiqet ta “politizojë” protestën e së premtes në Tiranë, e fundit në një sërë tubimesh kundër Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Më parë ata protestuan kundër gjykatës në shtator në Hagë dhe në gusht në Prishtinë.

“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike, ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i të gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po bëhet ndaj udhëheqësve të UÇK-së në Hagë,” shkroi Organizata e Veteranëve të Luftës në Facebook.

Ajo gjithashtu tha se veteranët “po kërkojnë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë”.

Protesta e ish-veteranëve të UÇK-së ishte në qendër të debatit parlamentar në Tiranë. Sali Berisha ishte i kujdesshëm kur tha se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme inkriminuese ndaj ish-komandantëve të UÇK-së, por Partia Demokratike ka vendim që të mos marrë pjesë në protestë.

Kështu protesta “Drejtësi për Çlirimtarët” ka nisur të instrumentalizohet hapur për interesa politike dhe duket se rezultati i ngushtë i raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë tregoi se ekuilibrat janë shumë të ndjeshëm. Ky fakt nuk i ka shpëtuar nuhatjes së Edi Ramës politikan që kur ka interes para tij, nuk e ka problem të ndryshojë 180 gradë qëndrimet që ka mbajtur 10 vite më parë. Ndaj sot ai e mirëpret protestën për ish-komandantët, është shndërruar në një nga njerëzit më të zëshëm për rikthimin e Hashim Thaçit në shtëpi edhe sepse është një nga kundërshtarët më të zëshëm kundër Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes./Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne