Protestat në Iran dhe synimet e tyre

Nga: Atullah Rexhepi

Një kohë të gjatë është trumbetuar se në Republikën Islamike të Iranit mungon demokracia dhe shprehja e lirë e fjalës, ku një gjë e tillë është përdorur si një ndër pretekstet kryesore gjatë hartimit të raporteve në lidhje me të drejtat e njeriut në Iran dhe shprehjes së lirë të mendimit në këtë vend. Qysh nga koha e Revolucionit në këtë vend, populli iranian ka kaluar nëpër shumë faza të vështira sidomos ekonomike, duke pasur parasysh se ka qenë objekt i sanksioneve më të ashpra nga Perëndimi për shkak të dyshimeve për zhvillimin e programit bërthamor, ku pas një periudhe të gjatë negociatash midis delegacioneve iraniane dhe perëndimore, në vitin 2015 është arritur marrëveshja bërthamore, e cila obligon Iranin të heq dorë nga avancimi i programit atomik që shpien në prodhimin e bombave atomike, në këmbim të lehtësimit respektivisht heqjes së sanksioneve të cilat ishin vendosur nga ana e KS të OKB. Vlen të theksohet se pas arritjes së marrëveshjes bërthamore, pikërisht KS i OKB përmes një rezolute ka konfirmuar këtë marrëveshje dhe ka votuar pro heqjes së sanksioneve ndaj Iranit. Natyrisht se një gjë e tillë ishte mirëpritur nga qeveria dhe populli iranian, sepse një kohë të gjatë ishin të privuar nga shumë gjëra thelbësore për jetën, posaçërisht ilaçe dhe medikamente. Në fillim, pas arritjes së marrëveshjes bërthamore, të gjitha palët ishin të gatshme për zbatimin e saj, posaçërisht vendet anëtare të BE, ku nuk munguan edhe vizitat e delegacioneve të larta shtetërore evropiane në Iran. Edhe përkundër dekretit të nxjerr nga Lideri suprem i Iranit në lidhje me ndalimin e prodhimit të bombës atomike, qeveria e Iranit përkatësisht delegacioni bërthamor iranian në negociatat me gjashtë vendet më të fuqishme të botës, u zotua se do të ndjek një program të kufizuar të pasurimit të uraniumit dhe një gjë e tillë u konfirmua disa herë edhe nga Agjencia e OKB për Energjinë Atomike. Lideri suprem i Iranit kishte dhënë përkrahje për delegacionin iranian në bisedimet bërthamore, por kishte shprehur rezerva rreth zbatimit të marrëveshjes nga ana e SHBA që është palë nënshkruese e saj.

Si filluan protestat e fundit në Iran?

Çdo qeveri në botë, edhe ato në Iran gjatë mandateve të tyre qeverisëse caktojnë prioritetet e tyre kryesore. Vlen të theksohet se në Iran, qeveria e ish presidentit Mahmud Ahmedinezhad kryesisht ka qenë e përqendruar në zhvillimin e vendeve rurale si dhe zgjidhjen e çështjes së strehimit për shumë qytetarë. Ndërsa qeveria aktuale e drejtuar nga presidenti Hasan Ruhani, si prioritet kyç ka zhvillimin, respektivisht avancimin e sistemit shëndetësor. Natyrisht se politikat e njërit president nuk i kanë pëlqyer përkrahësve të presidentit tjetër dhe anasjelltas dhe duke pasur parasysh se me vite të tëra, problemet ekonomike për shumë njerëz janë grumbulluar, kjo edhe ka qenë njëra ndër arsyet kryesore për organizimin e protestave në disa qytete të Iranit, duke filluar në njërin ndër qytetet që konsiderohet i shenjtë për qytetarët iranianë, Meshhedin ( që është qyteti i dytë më i madh në Iran). Pra, mund të thuhet se rritja e standardit jetësor, respektivisht ngritja e çmimeve si dhe fillimi i aplikimit të një sistemi taksativ për tregtarët, ka qenë njëra ndër arsyet kryesore për organizimin e protestave, gjë e cila është shfrytëzuar nga grupet politike opozitare të presidentit aktual, por që në realitet nuk ka ekzistuar deri më tani zyrtarisht ndonjë grup apo person që ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtyre protestave. Një arsye tjetër që ka mundur të ketë ndikim në organizimin e protestave ka qenë edhe mosrealizimi akoma i premtimit të presidentit iranian, Hasan Ruhani, për uljen e papunësisë si dhe hapjen e vendeve të reja të punës, edhe përkundër faktit se që nga ardhja në pushtet e tij, reduktimi i inflacionit dhe përmirësimi i rritjes ekonomike është realizuar me sukses. Po ashtu në muajin dhjetor të vitit të kaluar, presidenti  iranian propozoi një buxhet në të cilin parashihte rritjen e çmimit të gazit dhe të benzinës, gjë e cila do të ketë ndikim negativ tek klasa punëtore e Iranit. Pra, shumica e qytetarëve që janë prekur nga rritja e çmimeve dhe u janë shfaqur probleme ekonomike, shprehin pakënaqësi ndaj veprimeve të tilla të qeverisë, duke u shprehur se qeveria aktuale duhet të bëjë diçka në përmirësimin e kësaj gjendje. Vlen të theksohet se kundrejt këtyre problemeve socio-ekonomike, nuk kanë reaguar vetëm kundërshtarët e presidentit aktual, por edhe përkrahësit e tij, por që këtu duhet bërë një dallim, sepse synimet dhe qëllimet kryesore të protestuesve më vonë janë keqpërdorur nga elementë tjerë jashtë Iranit dhe nga disa satelitë të tyre brenda, të cilët synojnë rrëzimin e sistemit në Iran. Pjesë të këtyre protestave nuk janë edhe ata të cilët nuk pajtohen me politikat e sistemit islamik të Iranit që kryesisht kanë qenë përkrahës të liberalëve gjatë protestave të vitit 2009, ku shumë prej tyre në zgjedhjet e fundit kanë votuar presidentin Ruhani dhe përkundrazi ata nuk janë ithtar të ndonjë destabilizimi të gjerë në Iran, por nga ana tjetër përkrahin kërkesat e protestuesve për përmirësimin e kushteve ekonomike.  Normalisht se Irani është një vend me ndikim në zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe ka një aleancë strategjike me Rusinë dhe ka marrë pjesë në shumë fronte kundër grupeve të përkrahura nga vende tjera perëndimore dhe arabe që synojnë të shtrijnë ndikimin në këtë rajon. Ekzistojnë zëra brenda Iranit se një gjë e tillë paraqet pengesë për realizimin e politikave strategjike të Amerikës në rajon dhe do të ishte shumë e arsyeshme të mendohej se amerikanët së bashku me Izraelin dhe Arabinë Saudite (si kundërshtar potencial të Iranit më LM) të bëjnë përpjekje për destabilizimin e Iranit, ku një gjë e tillë është cituar edhe nga zyrtarët më të lartë të Iranit. Natyrisht se deklarimet e presidentit amerikan rreth protestave të fundit në Iran, respektivisht përkrahja e tij ndaj protestave, ka ndikuar në mobilizimin masiv të popullit iranian për të shprehur përkrahje ndaj qeverisë dhe sistemit islamik.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne