Protestuesi e quan Haradinajn hajdut, kryeministri e kërcënon

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka kaluar mirë me zjarrfikësit, që po protestojnë para Qeverisë së Kosovës prej disa orësh.

Në shenjë zemërimi, njëri nga protestuesit nuk ka kursyer fjalorin, duke e quajtur kryeministrin e Kosovës hajdut.

Haradinaj tha se nuk i ka vjedhur askujt asgjë dhe me ton kërcënues i ka kërkuar të ketë kujdes çfarë po flet.

“Kush është ai që po thotë hajn, s’e di a ia kom vjedh babën a nënën… Le t’kallxon.  Tanë jemi të qitij vendi, mos gaboni…”

Haradinaj i ftoi për kafe brenda objektit të Qeverisë. Ai tha se në sallë ka vend vetëm për 30 persona.

“Po e nij dikon duke thanë hajna. Nëse jam hajn atëherë shkoni në shpi se nuk kemi çka folim. Në sallën P 38 a po vini një kafe”.

Haradinaj: Zjarrfikësve të Kosovës do t’u bëhet zgjidhje afatgjate, përmes ligjit

Kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin me përfaqësuesit e sindikatave të zjarrfikësve, iu ka thënë se Qeveria e vendit është shtëpia e tyre dhe këtu do t’u ofrohet zgjidhje kërkesave që ata kanë.

“Për herë të parë, kjo Qeveri po merret me kërkesat e zjarrfikësve, të cilat datojnë prej dekadash”, ka theksuar Haradinaj.

“Ne kemi iniciuar krijimin e një koncept dokumenti i cili shumë shpejt do të vijë për diskutim në Qeveri dhe do të bëhet ligj, duke i hapur rrugë zgjidhjes afatgjate të problemeve dhe kërkesave të tyre”, ka shkruar Haradinaj, në faqen e tij në Facebook.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne