Protestuesit i quajnë “halabakë”/ Lexoni rrëfimin për policin Nevaldo Hajdëraj nga shoku i tij

Duke marrë shkas nga reagimi i dhunshëm i protestuesve, që goditën me gurë godinat e institucioneve, thyen xhamat e dritareve të Ministrisë së Brendshme, prishën zbukurimet e qytetit, dogjën bredhin e Vitit të ri dhe shkatërruan semaforët në Tiranë në shenjë revolte për vrasjen e Klodian Rashës, mazhoranca në pushtet i përshkruan ata me një seri epitetesh si “huliganë”, “barbarë”, “rrugaçë”, “halabakë” etj.

ide | kryesore

Protestuesit i quajnë “halabakë”/ Lexoni rrëfimin për policin Nevaldo Hajdëraj nga shoku i tij

E gjithë retorika kundër këtyre protestave, synon t’i përshkuajë të rinjtë që dalin në rrugë, si ajo pjesë e shoqërisë që duhet refuzuar e përbuzur dhe që kësisoj, nuk meriton të dëgjohet.

Por në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel mesditën e së hënës u tentua të hidhej dritë mbi profilin e Nevaldo Hajdërajt, policit që kreu vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha. Në studio ishte i ftuar një i njohur i tij, Ledion Muçaraku, i cili pranoi se e kishte njohur Nevaldo Hajdërajn para se të bëhej polic, gjatë kohës kur punonte kamarier në disa lokale në Tiranë. Vetë Ledion Muçaraku është një ish i dënuar për ngritjen e skemave piramidale dhe për dhënien e parave me fajde dhe kjo duket të ketë qenë pika e takimit mes tij dhe Nevaldo Hajdërajt.

Nga përshkrimi që i bëri Muçaraku, duket se Nevaldo Hajdëraj përshtatet më së miri në profilin e “rrugaçit”, që sot është kryefjalë e deputetëve, ministrave apo vetë kryeministri Rama kur flitet për protestuesit.

Nëse të gjitha ato që tregoi i njohuri i tij në studion e Top Channel janë të vërteta, Nevaldo Hajdëraj fare mirë mund të kishte qenë një nga ata që thyejnë xhamat dhe shkatërrojnë semaforët në protestë, por ai kishte një veçori që ndoshta shumë prej protestuesve nuk e kanë.

Në përshkrimin që i bëri të njohurit të tij, Ledion Muçaraku tha se e kishte dëgjuar vetë Nevaldo Hajdërajn të thoshte se do të emërohej polic, sapo Partia Socialiste të vinte në pushtet, megjithëse ende nuk ishte duke bërë shkollën e mesme.

“Shoqëria jonë ka qenë e afërt. Kemi qenë të afërt se na lidhte puna. Kur e kam njohur unë në periudhën 2011, 2012, 2013, ai çuditërisht doli që kishte mbaruar gjimnazin. Unë e ngacmoja: Nevaldo, ça polici do bëhesh ti? “Mirë mirë më thoshte, sa të vijë Partia Socialiste në pushtet, do ta shohësh ti bëhem apo nuk bëhem.” tha Muçaraku.

Muçaraku tregoi se Nevaldo Hajdëraj kishte qenë një nga klientët e tij, që merrte para me fajde, gjatë kohës kur punonte kamarier apo banakier në Tiranë. Kjo u konfirmua edhe nga avokati i  Nevaldo Hajdërajt, që ishte prezent në studio.

Kur u pyet se përse i merrte paratë me fajde Nevaldo, Muçaraku tha: Me sa jam informuar unë… kush është ai që nuk loz lloto? Kush është ai që nuk loz kazino? Ai ndonjëherë binte brenda se rroga mund të merrej në fund të muajit. Me sa jam informuar nëpërmjet shokut që “ai i prishi lekët Ledion” dhe unë i thoja “do japësh 150 dhe do t’i merrja 190”.

Një tjetër detaj që u la të kuptohej nga Ledion Muçaraku, ishte marrëdhënia e Nevaldo Hajdërajt me konsumin e lëndëve narkotike. Ai nuk e pohoi këtë fakt, por kur u pyet nga drejtuesi i emisionit nëse Hajdëraj konsumonte drogë, ai u shpreh: Tashti kush është në Shqipëri që nuk e ka konsumuar të shkretën?

Me gjithë insistimin e moderatorëve të emisionit, për t’ia nxjerrë këtë pohim, përgjigjet e Muçarakut ishin pak a shumë të njëjtat: “Kush është në Shqipëri, më thoni një, që nuk e ka konsumuar të shkretin ilaç?” I pyetur nëse e ka parë me sytë e tij Nevaldo Hajdërajn duke konsumuar drogë, Ledion Muçaraku u shpreh: “Për këtë rezervohem të nderuar, nuk do të thosha gjë” .

Përshkrimi i Nevaldo Hajdërajt nga i njohuri i tij Ledion Muçaraku, tregon shumë për policin që vrau 25 vjeçarin Klodian Rasha dhe që provokoi shpërthimin e trazirave në Tiranë. E sigurtë është që Hajdëraj nuk ishte qytetari model. Ai nuk ishte antipod i “huliganëve” të protestës, apo polici pa fat që “aksidentalisht” i mori një jetë njeriu.

I vetmi ndryshim që pati nga “halabakët”, “huliganët”, “barbarët” apo “rrugaçët” që përshkruhen rëndom këto ditë në media, është se Nevaldo Hajdëraj kishte njohjet e duhura në parti, të cilat i dhanë padrejtësisht shansin të veshë uniformën e Forcave Shqiponja dhe bashkë me këtë, i dhanë edhe një armë me të cilën vrau Klodian Rashën. Pikërisht kundër kësaj policie është protestuar këto ditë në Tiranë dhe pikërisht për këtë largimi i Lleshajt, nuk mjaftoi.©Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne