“Provimi i maturës ishte skandaloz”/ Pedagogia: M’u deshën 30 minuta të kuptoja pyetjet, m’u ngjall ndjesia e urrejtjes për artin e fjalës

Studiuesja dhe pedagogia Lili Sula e ka quajtur skandaloz testin e maturës së Gjuhës Shqipe.

Në një postim në Facebook ajo shprehet se iu deshën 30 minuta të kuptonte testin. Sipas saj ky test ishte një fyerje e madhe për maturantët.

“Fyerje e madhe për të gjithë maturantët që kanë lexuar veprat letrare e kanë mësuar këto dy lëndë; fyerje e nëpërkëmbje për mësuesit, që i janë përkushtuar mësimdhënies gjatë viteve të arsimit të mesëm të lartë dhe dje, pas provimit, ishin në pozitë të vështirë e nuk dinin t’i përgjigjeshin pyetjeve të maturantëve për saktësinë e alternativave”, shkruan Lili Sula.

Reagimi i plotë:

Maturantët tanë u testuan në provimin e Gjuhës shqipe e të Letërsisë përmes një testi skandaloz, plot probleme në rrafsh konceptual shkencor, metodik e jashtë përmbajtjes lëndore.

M’u desh thuajse 30 minuta të kuptoja testin e nuk më doli koha të zgjedh alternativat, për të cilat, për një pjesë syresh, po pres me drojë të publikohet çelësi, ndoshta edhe më jep të drejtë …

Fyerje e madhe për të gjithë maturantët që kanë lexuar veprat letrare e kanë mësuar këto dy lëndë; fyerje e nëpërkëmbje për mësuesit, që i janë përkushtuar mësimidhënies gjatë viteve të arsimit të mesëm të lartë dhe dje, pas provimit, ishin në pozitë të vështirë e nuk dinin t’i përgjigjeshin pyetjeve të maturantëve për saktësinë e alternativave.

Testi i djeshëm i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, për më shumë se 32 mijë maturantë u ngjalli atyre ndjesinë e urrejtjes për artin e fjalës, si dhe u zbehu dëshirën për të lexuar letërsi, sepse, tek e fundit, të nxënit e saj në tri vite shkollore nuk pati asnjë vlerë.

Hartimi i testit për kurrikulën, që formon identitetin kombëtar te të rinjtë e që e hodhi maturantin/en në qendër të grackës ishte promovimi më i mirë që iu bë distancimit të të rinjve ndaj leximit, si dhe thirrje e hapur për të mos studiuar e jetuar në Shqipëri.

Ditën e djeshme u ngritën në protestë dhjetëra maturantë. Ata u shprehën se teza nuk kishte lidhje me gjuhën shqipe. Maturantët gjithashtu kërkuan ose ulje të pikëve që llogariten për të hyrë në universitet, ose uljen e peshës së provimit të gjuhë-letërsisë në këtë llogaritje./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne