Bota

Pse Amerika nuk është më superfuqia e vetme ushtarake?

Gjeneral Vincent Stewart, kryetari i Shërbimit Informativ të Mbrojtjes së SHBA, më 23 Maj 2017, në një raport drejtuar Komitetit të shërbimeve ushtarake të Senatit, thekson:

“Balanca ushtarake ka ndryshuar nga e kaluara kur SHBA-të ishin e vetmja superfuqi në botë dhe tashmë fuqi të reja ushtarake u janë afruar potencialeve të Amerikës dhe në disa rajone rivalizojnë seriozisht fuqinë ushtarake amerikane. Armiqtë i kanë studiuar taktikat luftarake të Amerikës dhe në bazë të këtyre taktikave i kanë forcuar potencialet e tyre ushtarake për të reduktuar ose seriozisht kontrollin afatgjatë ushtarak të Amerikës në të gjitha nivelet e luftës, tokësore, detare, ajrore, hapësinore dhe kibernetike. Shtetet rivale po shfrytëzojnë të gjitha ndikimet diplomatike, ekonomike, politike dhe metodat e fshehta që posedojnë për realizimin e planeve të tyre rajonale dhe shfrytëzimi i fuqisë së tyre ushtarake i ka bërë ata më të fuqishëm”.

Dy fuqitë që mund të rivalizojnë direkt SHBA-të vazhdojnë të jenë Rusia dhe Kina. Rusia edhe gjatë vitit 2017 po vazhdon modernizimin e forcave të saj të armatosura. Në raportin e tij, gjeneral Stewart thekson se “Rusia ka investuar shumë në modernizimin e forcave të saj sulmuese dhe është përqendruar në rritjen e aftësive të bashkëpunimit mes forcave të përbashkëta, sistemeve moderne të komandimit dhe kontrollit si dhe në shtimin e potencialit të industrisë mbrojtëse”. Por Moska në rrugën e modernizimit të ushtrisë së saj po haset me probleme si ekonomia që po shkon drejt tkurrjes dhe zgjerimi i korrupsionit. Në raportin e gjeneral Vincent Stewart thuhet se “ programi ambicioz i modernizimit të ushtrisë ruse do të përballet me probleme si korrupsioni, industria joefektive, sanksionet perëndimore dhe dobësia e ekonomisë ruse. Megjithatë, Moska e ka vënë në prioritet modernizimin e forcave të armatosura ruse. Rusia në planet e viteve 2015 dhe 2016 ka modernizuar tanket 72B3, makinat ushtarake sulmuese BMP-3 dhe autoblindat BTR-82A. Përsa i përket forcave detare, Moska është përqendruar në modernizimin e flotës së nëndetëseve bërthamore dhe në pajisjen e luftanijeve ruse me raketa cruise. Gjithashtu, Rusia ka modernizuar dukshëm avionët e vjetër Su-34 dhe Su-35S, avionët pa pilot si dhe bombarduesit strategjikë TU-95 duke i pajisur ata me sisteme dhe armatime të reja”.

Rusia, megjithë problemet që ka, e ka dëshmuar se ka qenë e suksesshme në modernizimin e ushtrisë së saj. Në kohën e ish BS, ushtria bazohej në mobilizimin e popullit për tu përgatitur për Luftën e tretë Botërore dhe në kontrollimin e rajoneve përreth Rusisë. Stewart në raportin e tij dërguar Senatit amerikan shton: “Në përgjithësi, reformat ushtarake të Rusisë janë realizuar me sukses dhe Moska ka krijuar një ushtri të aftë dhe praktike, e cila mund të kryejë operacione të gjera luftarake jashtë Rusisë”.

Ndërkohë, edhe Kina po përpiqet të bëhet një fuqi e madhe shkatërruese kur të barazohet ushtarakisht me SHBA-të. Në raportin e tij, gjeneral Stewart thekson: “Kina po i vazhdon seriozisht përpjekjet për modernizimin e ushtrisë së saj dhe për forcimin e kontrollit të Partisë Komuniste mbi forcat e armatosura. Liderët kinezë e kanë bërë ushtrinë të aftë të kryejë misione luftarake shumë larg territorit të Kinës. Pekini synon që të shtojë ndikimin e tij ndërkombëtar duke përdorur forcën ushtarake, ekomomike dhe politike. Në vitin 2016, Xi Jinping, president i Kinës, deklaroi se është detyrë e Kinës të ketë një ushtri të fuqishme në përputhje me pozitën ndërkombëtare të këtij vendi, e cila të jetë e aftë jo vetëm të luftojë, por edhe të fitojë”. Ky raport i gjeneral Stewart nuk është shumë i habitshëm. Pozita e SHBA si superfuqia e vetme në botë pas periudhës së Luftës së Ftohtë, duam apo nuk duam, ishte e përkohshme. Rendi ndërkombëtar ka frikë nga vakumi, prandaj pas kësaj periudhe të shkurtër, u shfaqën fuqi të reja.

Marrë nga revista amerikane National Interest/PT

OPINIONE