Pse është e rëndësishme ta mbani mend masakrën e Srebrenicës?

22 vjet më parë, në korrik 1995, më shumë se 8,000 djem dhe burra muslimanë boshnjakë u vranë brutalisht nga forcat serbe në qytetin e Srebrenicës në Bosnjën dhe Hercegovinën lindore. Sot, ne rikujtojmë viktimat e masakrës.

Gjatë luftës në Bosnje, që zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995, Srebrenica u shpall zonë e sigurt. Në pranverën e vitit 1993, qyteti u vendos nën mbrojtjen e njësive paqeruajtëse të OKB-së që kryesisht përbëheshin nga oficerë të ushtrisë hollandeze. Njerëzve në Srebrenicë iu premtua se do të mbroheshin nga mizoritë e luftës. Megjithatë, më 6 korrik, forcat serbe pushtuan Srebrenicën dhe midis 11 korrikut dhe 22 korrikut u zhvillua ekzekutimi i burrave dhe djemve boshnjakë. Mijëra njerëz u ekzekutuan dhe u varrosën në varreza masive, fëmijët u vranë para syve të nënave të tyre, gratë u përdhunuan dhe u larguan pa baballarë, vëllezër, burra dhe djem. “Këto ishin me të vërtetë skena nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë njerëzore”, siç thuhet nga Fouad Riad, Gjyqtari i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Hulumtimet e fundit zbuluan se SHBA-ja dhe Britania e dinin gjashtë javë para se të ndodhte masakra që enklava do të binte. Bota qëndronte pranë dhe vëzhgonte vrasjen më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore në tokën evropiane.

Boshnjakët e kujtojnë luftën dhe i nderojnë viktimat e saj jo vetëm më 11 korrik, por e bëjnë këtë gjatë tërë vitit. Për shembull, viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në veçanti kujtohen kur boshnjakët vizitojnë fshatin Potoçari në komunën e Srebrenicës, ku ndodhen Varrezat Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë. Por megjithatë, 11 korriku është një ditë e rëndësishme për ne. Ne kujtojmë viktimat e masakrës në disa mënyra. Para së gjithash, Srebrenica është në lajmet boshnjake disa ditë para datës 11 korrik. Lajmet na njoftojnë se sa trupa të rinj janë gjetur dhe identifikuar, dhe tregojnë imazhe dhe video të varreve të reja që gërmohen për t’i varrosur ato trupa. Gjithashtu, çdo vit mijëra njerëz vizitojnë Srebrenicën më 11 korrik për të përkujtuar viktimat e gjenocidit. Që nga viti 2005 në Bosnjë është organizuar “Marš Mira” (Marshimi i Paqes), në të cilin marrin pjesë mijëra boshnjakë dhe njerëz të tjerë. Pjesëmarrësit ecin për disa ditë nëpër vend drejt Potoçarit. Pjesëmarrësit arrijnë një ditë para funeralit masiv në 11 korrik, kur varrosen trupat e rinj të gjetur të masakrës. Meqë lufta ka detyruar shumë njerëz të largohen nga vendi dhe të vendosen diku tjetër, masakra e Srebrenicës gjithashtu përkujtohet në mbarë botën nga boshnjakët. Nga Haga në Toronto, boshnjakët mblidhen së bashku për të nderuar ata që kanë vdekur për vendin e tyre. Njerëzit që nuk mund të shkojnë në Srebrenicë zakonisht e kalojnë ditën në shtëpi duke parë ceremoninë në televizion. Disa prej nesh gjithashtu tregojnë solidaritet dhe nderojnë viktimat duke veshur Lulen e Srebrenicës në rrobat tona. Ngjyra e gjelbër e luleve simbolizon shpresën, ngjyra e bardhë simbolizon pafajësinë dhe 11 petalet përfaqësojnë 11 korrikun.

Gjenocidi në Srebrenicë është i dokumentuar mirë, por mbetet disi i panjohur dhe madje i harruar. Është e vështirë të kuptohet se si lufta e Bosnjës nuk përfshihet në orët e historisë. Lufta ka lënë plagë emocionale për të mbijetuarit e saj, dhe dy dekada më pas vendi ende nuk është shëruar prej saj. Për shumicën e njerëzve një luftë është diçka që është larg, diçka që nuk mund t’u afrohet atyre. Por sot, duhet të kujtojmë se ajo është më pranë nesh nga sa do të donim të pranonim. Duhet të kujtojmë mizoritë dhe padrejtësitë që boshnjakët hasën vetëm 22 vjet më parë. Duhet të kujtojmë se bota perëndimore ktheu kurrizin dhe nuk arriti të mbronte jetët e pafajshme. Sot nderojmë viktimat e masakrës së Srebrenicës, por ndoshta ky mund të jetë edhe fillimi për të kujtuar viktimat e luftës së Bosnjës në të gjithë vendin dhe viktimat e luftërave anembanë botës.

Medina Turcinovic

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne