Rexhep ELEZAJ
Po bëhet gati një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, dhe që nga ajo datë Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, nuk ka pasur Kuvend dhe as Qeveri legjitime, përveç një qeverie në detyrë, e cila sipas Kushtetutës, ka kompetenca të kufizuara për ta qeverisur mirë vendin.
Se cilat, dhe, sa kanë qenë të mëdha dëmet për shtetin e Kosovës për shkak të mos funksionimit të plotë të Kuvendit dhe Qeverisë qe gati një vit, këto të dhëna mund të na i japin vetëm ekspertët e fushës ekonomike, politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, dëme të cilat kapin shuma në miliarda euro, të cilat i ka humbur Kosova për shkak të mos konstituimit me kohë, si dhe zhagitjes (me qëllim) të formimit të Kuvendit dhe qeverisë gjatë viti 2025.
Madje, gjasat për një zhagitje të re të formimit të Kuvendit dhe qeverisë edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, janë shumë të mëdha.
Në kontekst të kësaj taktike, duhet theksuar dukurinë e paparë në praktikën e shtet-formimit dhe qeverisjes në Kosovë, që nga dita e pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008 e deri më sot, dhe ajo është; indiferenca dhe papërgjegjësia e pajustifikuar politike e lënies së shtetit të Kosovës për një vit pa Kuvend dhe pa qeveri, pikërisht nga ata të cilët i kishin marrë votat e popullit për ta qeverisur vendin, e jo për ta paralizuar funksionimin e tij normal..!?
Po ashtu, pjesa më e dëmshme e skenarit të mos-konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë, ka qenë futja në garë e një taktike dhe metode të paparë më herët në Kosovë, siç ishte kodi i lojës me emocionet e masës, të konspiracionit ekstrem politik, të mashtrimit të masave përmes retorikës nacionaliste, dhe, më kryesorja, stigmatizimi i opozitës si tradhtare, pra veshja asaj të akuzave si pro Listës serbe, si dhe krijimi për një vit i klimës linçuese ndaj secilit që mendonte ndryshe nga “lideri” i zbritur nga qielli, pikërisht sipas sintagmës staliniste, “se kush nuk është me ne, është me armikun”..!?
Po e përsëris, se nuk ka armik më të madh të Kosovës, sesa ai i cili e saboton dhe pengon funksionimin normal të institucioneve kryesore të shtetit, për gati një vit, se nuk ka armik më të madh, sesa ai i cili e paralizon zhvillimin ekonomik të vendit, sesa ai i cili blen votat me para të shtetit, se ai i cili shantazhon një shoqëri të tërë me fake dhe premtime boshe. Nuk ka më armik, sesa ai i cili luftën për pushtet e bën mbi kurrizin e thyer të popullit, sesa i i cili mbetjen sa më gjatë në pushtet e bën duke qeverisur nga posti në detyrë dhe pa mbikëqyrje nga askush.
Kjo nuk është politikë, kjo nuk është qeverisje, ky nuk është patriotizëm, kjo nuk është dashuri ndaj atdheut, kjo nuk është mençuri, as dituri, e as aftësi. Kjo është puro tradhti, dhe asgjë tjetër. Sepse, gara politike bëhet me programe qeverisëse e jo me krijimin e armiqve imagjinarë./fb

















