Opinion

Pse muslimanët kërkojnë strehim në Perëndimin jomusliman?

Kjo në fakt është një pyetje e rëndësishme, pasi është një nga subjektet kryesore politike në Evropë, e cila është gati të organizojë një numër zgjedhjesh nacionale.

Kjo është pyetja e pashkruar në debatin e vazhdueshëm midis Turqisë dhe Gjermanisë mbi dëshirën e politikanëve turq për të adresuar komunitetet nga Turqia në Gjermani (dhe në vendet e tjera me banorë turq si Franca, Austria dhe Hollanda), mbi referendumin e 16 prillit në lidhje me një ndryshim të mundshëm të një modeli ekzekutiv presidencial, të kërkuar nga presidenti Erdoan. Pyetja e shtruar në fillim vlen këtu, për shkak se ky rast përfshin një marrëveshje ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian mbi kontrollin e fluksit të refugjatëve, që është amplifikuar nga lufta civile në Siri.

BE-ja, si rajoni më i pasur ekonomikisht në botë me 28 vende, dhe si shtëpia e disa prej demokracive më të përparuara në tokë, është duke u përpjekur të përballet me një total prej 2.3 milionë refugjatësh. Numri i refugjatëve në Turqi, kryesisht nga Siria, është rreth 3,5 milionë.

Ndërsa vështirësitë në lidhje me sigurinë dhe ekonominë rriten, gjithnjë e më shumë njerëz në Turqi po thonë se do të donin të jetonin në një vend tjetër (më shumë se 27 për qind sipas një sondazhi të Metropoll) – por jo si refugjatë. Ata thjesht duan të jetojnë një jetë më të thjeshtë dhe të begatë.

Në rastin e refugjatëve, ata janë nën nevojat themelore të sigurisë dhe drejtësisë. Shumica dërrmuese e tyre janë nga vendet muslimane të tilla si Siria, Iraku, Irani, Pakistani, Afganistani, Maroku, Mali, Somalia dhe të tjera.

Ata që vrapojnë për jetën e tyre janë muslimanë, por ata nuk janë duke kërkuar strehim në vendet e tjera muslimane, përveç Turqisë, Jordanisë dhe Libanit, ku sistemet politike nuk janë në bazë të ligjit fetar. Ata i kthejnë sytë e tyre nga shoqëritë kryesisht jo-muslimane, kryesisht të krishtera në Perëndim.

Pse ndodh kështu?

Rached Ghannouchi, udhëheqësi i lëvizjes Ennahda në Tunizi, që është ndoshta i vetmi që mund të flasë për një histori suksesi nga Pranvera Arabe, është gjithashtu në kërkim të një përgjigjeje për këtë pyetje.

Në një fjalim që ai mbajti në Ankara më 8 shkurt në një konferencë të organizuar nën titullin “Ankara Palace Meetings”, nga një grup i dominuar nga politikanët dhe akademikët në përputhje me Partinë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim, Ghannouchi tha si në vijim:

• “Në kohën mesjetare, njerëzit që jetonin në Evropë emigronin në vendet islamike. Në ditët e sotme, për fat të keq, muslimanët që jetojnë në diktatura po emigrojnë në vendet evropiane. Ata nuk po shmangen nga Islami në mosbesim; ata janë duke kërkuar një strehë nga shtypja.”

Kur një politikan në mesin e audiencës e pyeti Ghannouchin për rritjen e paragjykimeve kundër Islamit në Evropë dhe veçanërisht në Francë, përgjigjja e liderit islamik, i cili me pjekuri e ndau pushtetin me politikanë laikë, pavarësisht fitores në zgjedhje, tha:

• “Provë që njerëzit në Afrikën e Veriut po emigrojnë në Francë, është që jeta në Francë është më e mirë. … Franca është parë si një vend demokratik. Ka liri besimi [në Francë]. Muslimanët janë duke jetuar atje në paqe. Disa nga ata muslimanë kanë vepruar keq ndaj Francës me terror. Disa muslimanë që janë rritur nga Franca e kanë keqkuptuar Islamin. Ata që e kanë bërë këtë nuk kanë dëmtuar vetëm Francën, por edhe Islamin; ata i kanë vënë muslimanët që jetojnë në Francë në një pozitë të vështirë. Ne i dënuam ato akte terrori dhe qëndruam me Francën. … Terrorizmi është diçka që ne duhet ta dënojmë, edhe nëse është në Amerikë, Francë, Turqi apo Tunizi. Terrori nuk mund të ketë asnjë justifikim të drejtë.”

Politikani i kalitur gjithashtu deklaroi se Islami i vërtetë mund të lulëzojë vetëm në shoqëri të lira dhe të drejta, që nuk janë nën shtypje sektare, madje edhe në shoqëritë muslimane.

Për sa kohë që shoqëritë muslimane nuk kanë demokraci të vërtetë me respektim të të drejtave për të gjithë qytetarët, emigrimi në kërkim të sigurisë, drejtësisë dhe lirisë do të vazhdojë. Prandaj, përgjigja nuk është në ndërtimin e mureve dhe gardheve, në pranimin e regjimeve shtypëse siç janë vetëm sepse janë partnerë të mirë tregtarë, apo qoftë edhe në armiqësimin e tyre; përgjigja qëndron në përmirësimin e cilësisë së demokracive – diçka që përfundimisht do të çojë në ekonomi më të mira. / © Gazeta Impakt

Burimi: Hurriyet

GAZETA IMPAKT

Vendos Koment

Click here to post a comment

OPINIONE