“Pse nuk arrestohet Saimir Tahiri?”

Pyetjen në titull e ka ngritur sot Partia Demokratike. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj thotë se dokumentet e publikuara 2 ditë më parë me përgjime që lidhin grupin e Habilajve me shoferin e ish-ministrit dhe vetë Saimir Tahirin janë të mjaftueshme që organi i akuzës të kërkojë arrestimin e tij.

“Nga përgjimet e autoriteteve italiane provohet se Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm, Jaeld Çela, Drejtor i Policisë së Vlorës i emëruar nga Tahiri, Florian dhe Moisi Habilaj, trafikantë droge që përdornin makinën e Tahirit, Gentian Çeka, shofer personal i Tahirit dhe Orest Sota, mik i Tahirit që iu gjetën 863 mije euro me patentat e Tahirit, janë një grup i strukturuar kriminal, secili me rolin e vet, me qëllimin e përbashkët, trafikimin e kanabisit drejt Italisë.

Por këto prova, që përbëjnë bazën e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për të arrestuar drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës, janë bërë të pavlefshme për arrestimin e Saimir Tahirit, sepse ish-Ministri i Brendshëm, ka mbrojtjen politike të Kryeministrit të vendit” – tha Alibeaj.

Sipas tij, vendimi për të mbrojtur Tahirin dhe për të mbyllur hetimet ndaj tij, Edi Rama nuk mbron thjesht ish-Ministrin e tij të Brendshëm, por mbron pushtetin e tij, që i ka rrënjët tek kanabizimi i vendit. Alibeaj thotë se kostoja e imunitetit politik për Saimir Tahirin mund të rezultojë shumë e lartë për shqiptarët, përderisa vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë Saimir Tahirin para drejtësisë që Shqipërisë t’i hapen negociatat e anëtarësimit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne