Opinion

Pse Perëndimi vlerëson Malalën dhe jo palestinezen Ahed?

nga Shenila Khoja-Moolji.

Vajza palestineze 16 vjeçare Ahed Tamimi u arrestua kohët e fundit gjatë një bastisje natën në shtëpinë e saj. Autoritetet izraelite e akuzojnë atë për “sulm” ndaj një ushtari dhe një oficeri izraelit. Një ditë më herët ajo u konfrontua me ushtarët izraelitë që kishin hyrë në oborrin e shtepisë së saj. Incidenti ndodhi menjëherë pasi një ushtar qëlloi në kokë kushëririn e saj 14 vjeçar, ndërsa në drejtim të shtëpisë së tyre u hodh gaz lotsjellës, madje thyen edhe xhamat e dritareve të shtëpisë

Më vonë u arrestua edhe nëna e saj me një kushëri. Të tre po mbahen në paragurgim.

Gjatë kësaj kohe është parë një mungesë e madhe mbështetjeje nga grupet feministe perëndimore, avokatët e të drejtave të njeriut, si dhe nga zyrtarët të cilët promovojnë të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e femrës.

Fushatat e tyre për fuqizimin e vajzave në botë janë të panumërta si psh: Ngrihuni Vajza, Vajzat po ngrihen, Samiti G20(për vajza), Sepse jam një vajzë, Lerini vajzat të mësojnë, Deklarata e vajzave.

Kur aktivistja pakistaneze 15 vjeçare Malala Yousafzai u qëllua në kokë nga një anëtar i Tehrik-e-Taliban, reagimi ishte krejt ndryshe. Gordon Brown, ish-Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar lëshoi një peticion me titull “Unë jam Malala”. UNESCO ndërmori nismën “Të ngrihemi për Malalën”.

Malala u ftua të takohej me presidentin e atëhershëm Barak Obama dhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, ku iu dha edhe mundesia që të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ajo mori një numër të madh vlerësimesh, që nga emërtimi si një prej 100 personave më me influencë në botë nga revista Time, femra e vitit nga revista Glamour dhe deri tek nominimi për Çmimin Nobel të Paqes në vitin 2013 dhe përsëri në vitin 2014 kur e fitoi atë.

Përfaqësues të lartë shtetesh si Hillary Clinton, Julia Gillard si dhe gazetarë të shquar si Nicholas Kristof folën në mbështetje të saj, madje për nder të saj një ditë në vit u quajt Dita e Malalas!

Por sot nuk po shohim fushata me slogane dhe emërtime si #Unë jam Ahedi ose #Të ngrihemi për Ahedin. Asnjë prej grupeve feministe, grupeve të të drejtave apo edhe nga figurat politike nuk po duken të japin deklarata në mbështetje të saj dhe të kritikojnë njëkohësisht Izraelin. Askush nuk ka inicuar nje ditë enkas për Ahedin. Madje në të kaluarën SHBA i refuzoi Ahedit edhe vizën për të merrë pjesë në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar.

Njësoj si Malala edhe Ahedi ka një histori të konsiderueshme të mbushur me qëndrime kundër padrejtësive. Ajo ka protestuar për vjedhjen e tokës dhe të ujit nga kolonët izraelitë. Ajo ka duruar dhimbjen e shkaktuar nga humbja e xhaxhait dhe një kushëriri të saj si pasojë e okupimit. Herë pas here prindërit dhe vëllai i saj janë arrestuar. Nëna e saj është qëlluar dhe plagosur në këmbë. Dy vjet më parë, në një tjetër video të përhapur në media ajo shihej tek mbronte vellain e saj të vogël i cili po merrej forcërisht nga një ushtar izraelit.

Pse atëherë vajza palesineze Ahed nuk po përfiton përkrahje dhe mbështetje ndërkombëtare njësoj si Malala? Pse ka qenë kaq i ndryshëm reagimi ndaj Ahedit?

Ka shumë arsye për këtë heshtje të shurdhër. E para është se dhuna e sanksionuar nga shteti duhet pranuar si e ligjshme. Megjithese veprimet armiqësore të aktorëve jo shtetërorë siç janë luftëtarët talebanë apo Boko-haram konsiderohen si të paligjshme, agresioni i ngjashëm i kryer nga shteti shpesh konsiderohet i përshtatshëm.

Kjo jo vetëm që përfshin forma të dukshme të dhunës, siç janë sulmet me dronë, arrestimet e paligjshme dhe brutaliteti policor, por përfshin edhe sulme më pak të dukshme si riadministrimi i burimeve, përfshirë tokën dhe ujin. Shteti i justifikon këto veprime duke paraqitur viktimat e padrejtësive të tij si një kërcënim për funksionimin e shtetit.

Në momentin që viktima konsiderohet kërcënim, individi rrëzohet kollaj duke mos gëzuar më asnjë të drejtë dhe vlerë në jetën e tij. Filozofi italian Giorgio Agamben e ka përshkruar këtë si një kohë dhe vend të sanksionuar nga fuqia sovrane ku ligjet mund të pezullohen përkohësisht; si pasojë ky individ tani mund të bëhet një objektiv i dhunës sovrane. Shpesh në këtë kategori bien terroristët. Kështu që ekzekutimi i terroristëve të dyshuar nëpërmjet sulmeve me dronë pa një proces gjyqësor të duhur rezulton pa shumë zhurmë në publik.

Policia izraelite përdor këtu një strategji të ngjashme. Ata e argumentojnë shtyrjen e paraburgimit të Ahedit me atë se ajo “paraqet rrezik” për ushtarët (përfaqësuesit e shtetit) dhe mund të pengojë funksionimin e shtetit (hetimin).

Të vendosësh palestinezët e paarmatosur si Ahedi, e cila thjesht po ushtronte të drejtën e saj me gjithë forcën e dorës së një 16 vjeçareje për të ruajtur mirëqenien e familjes së saj, në pozicionin e terroristëve, kjo nuk pranohet. Inkuadrime të tilla hapin rrugën për të autorizuar torturën e tepruar, dhe si shembull del Ministri i arsimit izraelit Naftali Bennett, i cili kërkon që Ahedi dhe familja e saj ta “mbyllin gjithë jetën e tyre në burg”.

Vuajtja e Ahedit gjithashtu ekspozon humanitarizmin selektiv të Perëndimit, ku vetëm individë dhe kauza të vecanta sipas tyre konsiderohen të denjë për ndërhyrje.

Antropologu Miriam Ticktin argumenton se ndërsa gjuha e moralit për të lehtësuar vuajtjet trupore është bërë sot dominante në agjencitë humanitare, vetëm disa lloje të veçanta të vuajtjeve trupore lexohen si të denja për kujdes. Kjo përfshin trupin femëror jashtëzakonisht të dhunuar dhe trupin patologjikisht të sëmurë.

Një pikëpamje e tillë e vuajtjeve i normalizon personat e punës dhe ata të shfrytëzuar: “këta nuk bëjnë përjashtim me përjashtim të rregullave dhe kështu skualifikohen”.

Çështjet e papunësisë, urisë, kërcënimit, dhunës, brutalitetit policor dhe denigrimit kulturor shpesh nuk konsiderohen të merituara për ndërhyrje humanitare. Format e tilla të vuajtjes shihen si të duhura dhe madje të pashmangshme. Prandaj Ahed nuk i përshtatet viktimës ideale për mbrojtje transnacionale.

Lidhur me këtë, vajzat si Ahed që kritikojnë kolonializmin e të ardhurve dhe artikulojnë vizionin e kujdesit të përbashkët shoqëror, nuk janë feminiteti i autorizuar që Perëndimi dëshiron të vlerësojë. Ajo kërkon drejtësi kundër shtypjes dhe jo përfitime për veten e saj.

Feminizmi i saj është politik, ndryshe nga ai i përqendruar te komoditeti dhe kënaqësia. Fuqia e saj vajzërore kërcënon të zbulojë fytyrën e shëmtuar të kolonializmit të të ardhurve, dhe kështu cilësohet si “i rrezikshëm”. Kurajoja dhe guximi i saj i gjallë tregon gjithçka të gabuar në këtë pushtim.

Gjendja e Ahedit duhet të na nxisë që të marrim në pyetje humanizmin tonë selektiv. Individët që janë viktima të dhunës shtetërore, të cilë përqëndrohen tek kujdesi i përbashkët i shoqërisë, ku aktiviteti i të cilëve zbulon ligësitë e pushtetit, meritojnë të përfshihen në vizionin tonë të drejtësisë.

Edhe nëse ne nuk bëjmë fushata sensibilizimi për Ahedin, është e pamundur që ne ti ikim thirrjes së saj për të dëshmuar dobësimin masiv, zhvendosjen dhe shpronësimin e popullit të saj. Siç tha Nelson Mandela, “Ne e dimë shumë mirë se liria jonë është e paplotë pa lirinë e palestinezëve”./aljazeera/Gazeta Impakt