Pse Rama e shiti “superministrin” e tij?!

Është për të ardhur turp, kur sheh një kryeministër si Edi Rama, që është katandisur si një kryetar kooperative, sepse nuk është i vetëdijshëm për funksionet e tij. Prononcimet e vazhdueshme për “kampionin” Tahiri, lenë shumë për të dëshiruar dhe të bëjnë të mendosh, se edhe Rama është pjesë e opozitës, grupit të kriminelëve moralist, që besojnë se një shkrim mediatik qenka më i besueshëm se superministri, që mbrojti dhe dha fakte e prova në luftën për të bërë shtet.

Më shumë për të ardhur keq, është fakti, se Rama ua besoi superministrin e tij, tufës së kriminelëve dhe hajdutëve, mediave që morali u shkon aty ku i ngrohet xhepi dhe drejtësisë së Llallës, Visho Ajazit të SHISH 1997, të Gjin Gjonit dhe gjithë gjinave që i shërbyen antiligjit, e që na ndrritën me zbardhjen e ngjarjeve më të rënda, që ka kaluar Shqipëria pas vitit 1997, si rasti “Gërdeci” dhe “21 Janari”.

Çdo qytetari i lind pyetja, cilën drejtësi dhe të vërtetë pret Rama?! Drejtësinë që vetë ai nuk e beson dhe e mallkon çdo ditë në media se është bashkëpuntore me krimin, apo për drejtësinë që akoma nuk ka ardhur. Zoti Rama, a i njihni kompetencat e tua? Nëse nuk i di, duhet patjetër të t’i tregojë dikush.

Sa për dijeni, që ti të kuptosh se ku ndahet kryetari i kooperativës me kryeministrin, një shembull po ta japim ne, ose këshillë quaje si të duash.

Ti si kryetar shteti, që pasi more vesh lajmin, duhej të vije menjëherë në Tiranë, për të kërkuar vërtetësinë e lajmit nga organet kompetente, shqiptare dhe italiane. Si kryetar shteti, duhej së pari të bindje veten dhe gjithë opinionin për vërtetësinë e lajmit duke kërkuar fakte dhe të vërteta, e në të kundërt, të kërkoje dënimin e shpifësve sipas ligjit.

Si kryeministër, ke tagrin t’u kërkoje organeve kompetente e ligjzbatuese, të jepnin informacionin e saktë mbi përfshirjen apo jo të ish-ministrit tënd në këtë ngjarje kriminale. Në fakt, bëre të habiturin, duke besuar thëniet e trafikantëve që përmendnin emrin e “Saimirit”, ku jo më larg se para pak ditësh, edhe emri juaj doli në listën e një ngjarje kriminale, ku ish-deputeti Eduard Ndocaj, po për llogari të drejtësisë italiane, ka përmendur emrin tuaj për marrjen e një tenderi, me qëllim mashtrimi me shuma të mëdha parash ndaj një shtetasi italian.

Vepra penale e ngjarjes, ku u përmend emri juaj, a nuk është e barabartë me veprën penale të përmendjes së emrit të Tahirit? Në fakt, nga këto dy raste, më i besuar është deputeti që ka ngrënë dreka e darka me ju në Itali dhe ka qenë krahu juaj në parlament, se sa deklarata e dy trafikantëve që nuk e kanë parë kurrë Tahirin, por që u bënë kushuri nga një makinë e blerë.

Në rastin tuaj, organet ligjzbatuese bënë zbardhjen e të vërtetës, e lidhjes tuaj me deputetin në këtë aferë. Pse rasti Tahiri, ndryshe nga ju, kërkon kohë dhe mjete për të zbardhur të vërtetën, me qëllim sqarimin e opinionit dhe zbardhjen e figurës së superministrit që promovuat vetë?

Nëse ka diçka të vërtetë, strukturat antidrogë, minimalisht do të jepnin një informacion, sepse e kanë detyrë t’ju informojnë për një ish antarë të kabinetit tuaj, gjë e cila arrihet fare lehtë, sepse dosja me 420 faqe ekziston, e nëse ka biseda midis ish ministrit dhe trafikantëve, atëherë ai është fajtor. Por nëse nuk ekzistojnë, mos bëni mish për top “kampionin” e qeverisë tuaj, ku në një histori identike, u përfshitë dhe vetë.

Opinioni ju bën ju fajtor, sepse çdo prononcim i juaj deri më sot, ishte një deklaratë pa pasur asnjë element të së vërtetës. Ndaj, kthehu në detyrë si kryeministër dhe dëgjo zërin e qytetarëve./Pamfleti.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne