Pse Sigurimi i Shtetit ka qenë “filial” i KGB-së

Nga Hasan Bello

Nga indiciet që kemi rezulton se Sigurimi i Shtetit pavarësisht emërtimit dhe strukturës që ka pasur është krijuar që në vitet e luftës. Pas 1944 me ndihmën e këshilltarëve dhe organizatorëve jugosllavë, të cilët u atashuan në çdo institucion të administratës shqiptare, u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit. Emërtimi dhe struktura u kopjua nga UDB, e cila dha ”kontributin” e saj për kualifikimin e punonjësve dhe drejtuesve kryesorë.

Me prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave pas vitit 1948, këshilltarët jugosllavë u zëvendësuan me ata sovjetikë, të cilët riorganizuan Sigurimin e Shtetit dhe dërguan për tu shkolluar në Bashkimin Sovjetik, në kurset e KGB-së, shumë oficerë. Këtu bënte pjesë edhe Kadri Hazbiu, i cili për dekada me radhë do të jetë Ministër i Punëve të Brendshme, i Mbrojtjes dhe drejtuesi më jetëgjatë i Sigurimit.

Po si u kthye de facto dhe de jure Sigurimi i Shtetit në filial të KGB-së?

Kjo ndodhi në Konferencën Multiraterale të shërbimeve të fshehta, e cila u zhvillua nga 5 deri më 7 mars 1955 në Moskë. Në këtë takim morën pjesë ministrat e Brendshëm ose drejtuesit e shërbimeve të fshehta të të gjitha vendeve të lindjes që konsideroheshin satelitë të BS. KGB-ja vendosi piketat e bashkëpunimit për të ardhmen e shërbimeve të sigurimit të shtetit ndërmjet njëri-tjetrit dhe përcaktoi objektivat e përbashkëta.

Ky takim u realizua në një moment kyç, kur sapo e gjithë bota po përfshihej në vorbullën e Luftës së Ftohtë. Deri në vitin 1961 kur marrëdhëniet e Shqipërisë me BS u zhvilluan në mënyrë intensive specialistët e KGB-së drejtonin dhe kontrollonin veprimtarinë e Sigurimit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, përveç shkëmbimit të informacionit, kryesisht kundër kundërshtarëve dhe emigracionit politik të regjimit komunist, Sigurimi i Shtetit u furnizua me Teknikë Operative (aparate përgjimi, kamera, laborator fotografik etj) nga KGB-ja, STASI dhe shërbimet partnere.

Me prishjen e marrëdhënieve me BS ky bashkëpunim, të paktën zyrtarisht, mori fund. Në gjyqin e Kadri Hazbiut në vitet 80-të një nga akuzat që Enver Hoxha i bënte atij, ishte se i kishte dhënë KGB-së rrjetin e informatorëve dhe bashkëpunëtorëve. Ndërkoh që me urdhër të tij në vitet 50 KGB-së i ishte dhënë shifra me të cilën komunikonte Ministria e Punëve të Brendshme apo dikasteret e tjera me njëri-tjetrin dhe ambasadat.

Këto mund të verifikohen në procesin gjyqësor të publikuar të Kadri Hazbiut.

Ndërsa për gjërat e mësipërme nuk ka asgjë sekret. Studiuesit e historisë së STASIT dhe sigurimeve të Evropës Lindore janë treguar në lartësinë e shoqërive të tyre, duke na ndihmuar edhe ne që nuk duam ta zbardhim të vërtetën e diktaturës…/Gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne