Puna e parë në ministri, Besart Kadia mbulon mashtrimin mbi ligjin “Për Investimet”

Zëvendësministri i ri i Financave, Besart Kadia, e ka nisur punën me zgjatjen e jetës të ligjeve të gatuara nga Qeveria Rama në shërbim të oligarkëve. Ai ka mbështetur në Komisionin e Ekonomisë zgjatjen edhe një vit afat për ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”. Kadia është një fytyrë e re e qeverisë që po mbulon një mashtrim të vjetër lidhur me ligjin “Rama”

Problemet

Ligji shkelte haptazi barazinë e investitorëve, konkurrencën dhe të drejtën e pronës private. Kryeministri e përdor këtë ligj për t’u dhënë statusin e “investitorit strategjik” çdo biznesmeni që i që i qëndron afër. Më tej Qeveria ndërhyn dhe shpronëson çdo tokë apo objekt që këta biznesmenë iu vënë syrin, kryesisht në bregdet apo në qendër të kryeqytetit. Për të zbutur kundërshtimin ndaj këtyre shkeljeve dhe përjashtimeve, ligji kishte vendosur afatin 31 dhjetor 2018, si datë e fundit për paraqitjen e propozimeve.

Çfarë ka pas shtyrjes disa herë të afatit?

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet shtyrje e datës së skadencës së këtij ligji zhvatës. Me kërkesën e ministrit Arben Ahmetaj u shty për një vit efekti i ligjit, deri në 31 dhjetor 2019. Kjo kohë duhej që ministria të hartonte një ligj të ri për “Për investimet”, sipas standardeve të BE-së. Ligji është përgatitur dhe konsultim publik për të është mbyllur në datë 7 maj 2019. Për interesat klienteliste të qeverisë, për të mbyllur dhënien e disa “fshatrave turistikë” në bregdet, ky ligj është bllokuar dhe është kërkuar në fund të vitit një shtyrje e ligjit ekzistues.

Kjo ishte shtyrja e dytë, ndërkohë që ligjit, gjatë afatit të shtyrjes i janë bërë rrugës edhe arnime sipas kërkesave të klientëve të qeverisë.  Qeveria e kishte “harruar” se i mbaronte afati në fund të vitit, pra në datën 31 dhjetor 2020, por për këtë u kujtua kryetarja e Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Milva Ikonomi dhe deputeti Ervin Bushati.

Në mbledhjen e datës 27 nëntor 2020, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”. Për këtë u caktua relatore Znj. Antoneta Dhimaj. Gjithashtu, në emër të Qeverisë, ishin i pranishëm Z. Besart Kadia Zv. Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe Z. Saimir Mucmataj, Drejtor i Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Komisioni vendosi ta shtyjë afatin përfundimtar të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë” deri më 31 dhjetor 2021.

Mashtrimi me pandeminë

Pandemia është arsyeja që ka vonuar qeverinë të përgatisë ligjin e ri. “Për fat të keq, për shkak të pandemisë së Covid 19, Qeverisë i është dashur të mobilizojë të gjitha kapacitetet e saj, për gjetjen e mundësive sa më oportune, eficente dhe efikase, për përballimin e pasojave të kësaj pandemie…Në këtë kontekst, ka qenë i pamundur finalizimi i projektligjit të ri “Për investimet””. Ky është justifikimi ligjor për shtyrjen e tretë të afatit. Si mund të mashtrohet publiku në këtë mënyrë, kur projektligji ka kaluar fazën e konsultimit publik një vit para pandemisë? Ndoshta numri dy i ministrisë, Besart Kadia nuk është në “dijeni”, se është i ri në dikaster.

Ajo që të bie në sy është se edhe formalisht nuk bëhet përgatitje për të mbrojtur një akt ligjor. Nuk paraqitet as ndonjë analizë se si ka shkuar zbatimi i këtij ligji, cilat kanë qenë përfitimet e ekonomisë, sa vende pune janë hapur, sa investime janë kryer, a kanë përfunduar, apo në ç’fazë janë.

Ndërkaq, parashikohet edhe ndonjë shtyrje tjetër. “Shtyrja edhe me një vit të këtij afati, (gjithnjë nëse nuk do të kemi situata të tjera të rënduara apo te paparashikuara për shkak të pandemisë) besoj se do t’i japë mundësinë Qeverisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për  finalizimin e projektligjit të ri”, paralajmërohet në relacionin e komisionit përgjegjës. Ky ligj i rëndësishëm do të votohet nesër nga Kuvendi.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne