Izraeli transferon të ardhurat nga taksat tek Autoriteti Palestinez

Izraeli transferoi 1,14 miliard dollarë të ardhura nga taksat tek Autoriteti Palestinez të mërkurën, sipas ministrit palestinez të Çështjeve Civile, Husein Al-Shejh.

Në Twitter ministri palestinez tha se “Izraeli transferoi (tek Autoriteti Palestinez) të gjitha të ardhurat e taksave të paguara në shumën prej 3,76 miliardë sikla (1,14 miliard dollarë)”.

Më parë, media izraelite njoftuan se kabineti izraelit vendosi të dielën të heq 600 milionë sikla (180 milionë dollarë) nga të ardhurat e taksave palestineze.

Në korrik 2018, Parlamenti i Izraelit (Knesset) miratoi një projektligj që lejon qeverinë izraelite të heq të njëjtën shumë të asaj që Autoriteti Palestinez paguan si pagesa mujore për të burgosurit palestinezë dhe për familjet e dëshmorëve dhe të plagosurve palestinezë.

Të ardhurat nga taksat, të njohura në Palestinë dhe Izrael si “maqasa” – mblidhen nga qeveria izraelite në emër të Autoritetit Palestinez për importet dhe eksportet palestineze. Izraeli në këmbim fiton një komision prej 3 për qind të të ardhurave të mbledhura.

Të ardhurat nga taksat e mbledhura vlerësohen në rreth 188 milionë dollarë çdo muaj, të cilat përfaqësojnë burimin kryesor të të ardhurave për Autoritetin Palestinez.

Në maj, Autoriteti Palestinez refuzoi të merrte të ardhurat nga taksat nga Izraeli si pjesë e vendimit për të pezulluar koordinimin me Izraelin në shenjë proteste pas njoftimit të Izraelit për aneksimin e zonave të mëdha në Bregun Perëndimor të okupuar.

Megjithatë, Autoriteti Palestinez njoftoi muajin e kaluar rifillimin koordinimit mbi çështjet e sigurisë dhe civile me Izraelin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne