Putin fiton mandatin e katërt si president i Rusisë me 73.9% të votave

Presidenti rus Vladimir Putin ka shënuar një fitore bindëse duke fituar mandatin presidencial për herë të katërt me 73.9 përqind të votave, sipas një sondazhi nga instituti VTsIOM.

Sipas anketës së dalë nga 1,200 vendvotime rreth Rusisë, kandidati komunist Pavel Grudinin është i dyti me 11,2 përqind të votave. VTsIOM tha gjithashtu në një deklaratë se mbi 37 përqind e të anketuarve nuk pranuan të thonë se për kë kanë votuar. Fitorja e zgjedhjeve nga Putini do të zgjasë kohën e tij të plotë në postin presidencial për gati një çerek shekulli, deri në vitin 2024. Ai fitoi zgjedhjet me premtimin për të forcuar aftësinë mbrojtëse të Rusisë kundër Perëndimit dhe për të rritur standardet e jetesës. Shumica e njerëzve që biseduan me AFP thanë se votuan për Putinin, duke e lavdëruar atë për rivendosjen e stabilitetit dhe krenarisë kombëtare pas kolapsit poshtërues të BRSS. “Sigurisht që unë jam për Putinin, ai është një udhëheqës”, tha Olga Matiunina, një ekonomiste 65 vjeçare e pensionuar, e cila shtoi: “Pasi ai riktheu Krimenë, ai u bë një hero për mua”. Shumë ekspertë thonë se rritja e popullaritetit të Putinit është kryesisht për shkak të politikave të tij të suksesshme drejt çështjeve rajonale, veçanërisht konfliktet në Ukrainë dhe Siri.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne