Putin: Do të modernizoj Rusinë

Presidenti rus Vladimir Putin ka filluar fushatën e tij për zgjedhjet e vitit 2018 me një zotim për modernizimin e vendit.

“Rusia është një vend me një histori 1000-vjeçare, por ne nuk duhet ta trajtojmë atë si gjyshja jonë, vetëm duke i dhënë pilulat e saj për të lehtësuar dhimbjen e saj”, tha Presidenti rus në një fjalim televiziv . “Ne duhet ta bëjmë Rusinë të re dhe moderne duke synuar në të ardhmen,” shtoi ai. Putin u zotua më tej për të rritur burimet financiare të sistemit shëndetësor dhe arsimor të vendit dhe gjithashtu u zotua për të luftuar korrupsionin. “Për të arritur këtë, ne duhet të zgjidhim detyrat për të cilat po flasim tani. Duhet të bëjmë ndryshime drastike në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe infrastrukturën”. “Objektivi tjetër kyç për ta bërë ekonominë moderne dhe inovative duke zhvilluar dixhitalizimin dhe bioteknologjinë nuk mund të arrihet pa kujdesin shëndetësor dhe arsimin”, theksoi Putin duke shtuar: “Njerëzit e sëmurë dhe të paarsimuar do të jenë të paaftë për të modernizuar vendin, pasi gjithçka është e ndërthurur në botën bashkëkohore”. Ndërkohë, partia qeverisëse Rusia e Bashkuar gjithashtu shprehu mbështetje për “fitoren përfundimtare” të Putinit në zgjedhjet presidenciale në mars 2018. Kreu i partisë dhe kryeministri rus Dmitri Medvedev tha se Rusia e Bashkuar ishte partia e Putinit dhe burimi i tij kryesor politik. “Ne do t’ju japim, Vladimir Vladimiroviç Putin, të gjithë mbështetjen e mundshme, tani dhe në të ardhmen”, deklaroi Medvedev. Që nga viti 2000, Putini ka qenë në pushtet qoftë si president apo kryeministër. Nëse fiton një mandat të katërt presidencial, ai do të ketë të drejtë të shërbejë edhe gjashtë vjet të tjera deri në vitin 2024. Me një vlerësim të përkrahjes popullore prej mbi 80 për qind, 65-vjeçari pritet të fitojë me lehtësi në zgjedhjet presidenciale të 18 marsit. Nga ana tjetër, figura e opozitës ruse Alexei Navalni ka marrë miratimin për nominimin e tij si kandidat për zgjedhjet presidenciale në mars 2018. Rreth 800 vetë u mblodhën të dielën për miratimin formal të kandidaturës së Navalnit për presidencën. Figura e opozitës shihet nga mbështetësit e tij si sfiduesi kryesor ndaj presidentit Vladimir Putin. Navalni tha në fjalimin e tij të fushatës, në Moskë, se ai me siguri do të fitojë zgjedhjet nëse lejohet të konkurrojë. Ai gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të bojkotojnë zgjedhjet nëse Komisioni Zgjedhor e ndalon atë të garojë për shkak të një dënimi penal, të cilin ai vazhdimisht e ka cilësuar si një ndëshkim politik të udhëhequr nga Kremlini./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne