Qeveria e Kosovës shpall emergjencë për shëndetin publik

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 11-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, ka marrë vendim që të shpallë emergjencë për shëndetin publik si rezultat i përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, vendimi obligon institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të funksionit mbështetës emergjent 8 (FME8 shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore).

“Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftim.

Ky vendim ka hyrë menjëherë në fuqi.

Sot në mbrëmje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se edhe katër raste të reja janë diagnostikuar me koronavirus në Kosovë, tre të lidhur me një rast në Komunën e Malishevës, kurse një rast tjetër me vendbanim në Komunën e Podujevës.

Kjo bëri që Vitia të kërkojë nga kryeministri Kurti “shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”.

Rastet e para të diagnostikuara me koronavirus në Kosovë dolën ditën e premte, një në Klinë dhe një në Viti. Deri më tash në Kosovë numri i të prekurve me COVID-19 është nëntë, ndërsa tre komuna janë të karantinuara, Komuna e Klinës, Komuna e Vitisë dhe ajo e Malishevës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne