Qeveria lë jashtë ndihmës financiare sektorin e turizmit

Qeveria nuk ka përfshirë në listën e bizneseve që përfitojnë ndihmë ekonomike si shkak i prekjes nga koronavirusi, operatorët turistikë, agjensitë turistike apo biznese të tjera të turizmit.

Pavarësisht se turizmi goditet direkt nga masat ndaluese dhe do të jetë sektori që do të preket më shumë nga pasgoditjet e pandemisë, qeveria nuk ka asnjë plan deri më tani për mbështetjen e tij.

Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se goditja kryesore ekonomike e koronavirusit do të jetë në sektorin e turizimit.

FMN nuk jep vlerësime sa mund të jetë efekti negativ në ekonomi i rënies së turizmit, por shprehet se rënia e turizmit nuk do të kompensohet dot nga aktiviteti ekonomik i rindërtimit, dhe si rezultat ekonomia do rritet më ngadalë se parashikimi në vitin 2020.

Në vitin 2019, turizmi përbënte 21.2 për qind të PBB-së, dhe kishte 254, 300 të punësuar, në total 22.2 për qind të punësimit në vend.

Qeveria ka vendosur të ndihmojë vetëm ato biznese që janë mbyllur me vendim qeverie. Sipas vendimit të miratuar me 29 mars, biznese e mbyllura me urdhër nga qeveria përfitojnë pagën minimale, dhe i pezullohet pagesa e qirasë për muajin prill dhe maj.

Për të përfituar nga ndihma e qeverisë bizneset duhet të bëjnë pjesë në listën e bizneseve të mbyllura nga Ministria e Shëndetësisë. E njëjta kërkesë vlen edhe për pezullimin e pagesës së qirasë.

Bizneset të cilat e kanë mbyllur aktivitetin si pasojë e koronavirusit por nuk janë të përfshirë në listën e Ministrisë së Shëndetësisë, do të përfshihen në një paketë të dytë./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne