Qindra mijëra qytetarë gjermanë protestuan kundër partisë së ekstremit të djathtë

Qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e Gjermanisë të dielën për të shprehur revoltën e tyre kundër partisë politike të ekstremit të djathtë dhe qëndrimit të saj kundër emigrantëve. Protestat kanë vazhduar për disa ditë pasi u zbulua se partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) po diskutonte planet për dëbimin masiv të njerëzve me origjinë të huaj.

Policia e Mynihut tha se rreth 100.000 njerëz morën pjesë në protesta. Dhjetëra mijëra njerëz protestuan gjithashtu në qytete si Këln dhe Bremen, ku morën pjesë dhjetëra parti dhe organizata lokale, si dhe iniciativa. Në kryeqytetin Berlin, më shumë se 100.000 njerëz u mblodhën para parlamentit gjerman për të denoncuar agjendën antidemokratike të partisë së ekstremit të djathtë.

Disa nga demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Së bashku kundër fashizmit”, “Nazistët jashtë” dhe “Kurrë më”. Demonstruesit mbanin celularë me drita ndezur dhe brohorisnin me slogane kundër AfD-së. E themeluar në vitin 2013, AfD fitoi vëmendje të veçantë në vitin 2015 kur rreth një milion emigrantë dhe refugjatë mbërritën në Gjermani. Ai hyri për herë të parë në Bundestag në vitin 2017, ndërsa popullariteti i saj thuhet se është rritur sërish që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

AfD është një parti politike konservatore dhe euroskeptike gjermane e cila mbështet ndërprerjen e bashkëpunimit me eurozonën, kundërshton euron, migrimin, përhapjen e ndikimit islam dhe martesat e të njëjtës gjini. Parlamentet e reja shtetërore do të zgjidhen në shtator në Brandenburg, Saksoni dhe Turingi, ndërsa sipas sondazheve, AfD mund të bëhet forca më e madhe në të tre shtetet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne