Qindra të rinj izraelitë refuzojnë shërbimin ushtarak

Qindra studentë izraelitë të shkollave të mesme kanë njoftuar se do të refuzojnë të shërbejnë në ushtri në shenjë proteste kundër politikave të administratës ekzistuese të ekstremit të djathtë, përfshirë edhe reformat e diskutueshme gjyqësore.

Organizata “Të rinjtë kundër diktaturës”, në një deklaratë të lëshuar në shkollën e mesme Herzliya Gymnasium në qendër të Tel Avivit, gjithashtu e lidhi qartë kauzën e tyre me kundërshtimin ndaj shtypjes së palestinezëve në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar. “Si të reja dhe të rinj që do të rekrutohen në shërbimin ushtarak izraelit, ne i themi JO diktaturës në Izrael dhe në territoret e pushtuara palestineze.

Në këtë mënyrë deklarojmë se refuzojmë të bashkohemi me ushtrinë, derisa demokracia të sigurohet për të gjithë”, thuhet në deklaratë. Studentët vunë në dukje se “diktatura” që palestinezët në territoret e pushtuara kanë përjetuar “për dekada” tani po rrjedh në rajone të tjera dhe po “drejtohet” kundër tyre. “Kolonët e dhunshëm tani kontrollojnë të gjitha punët. Këto nuk janë zhvillime të fundit.

Qëndrimet dhe veprimet jodemokratike janë thelbësore për ruajtjen e këtij regjimi pushtues dhe supremacisë hebreje. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se maska tani është e hequr. Përballë këtij realiteti, ne themi JO!”, theksohet në deklaratën e organizatës “Të rinjtë kundër diktaturës”. Kjo është hera e parë që 230 studentë izraelitë kanë bashkërenduar refuzimin e tyre për të shërbyer si një mënyrë specifike për të sfiduar politikat e kabinetit aktual./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne