OMER FARUK MADANOGLU
Mjeshtri arkitekt, Mehmet Emin Yılmaz, i cili ndjek gjurmët e veprave turke në tokat e dominuara nga Shteti Osman, tha se xhamitë në Ballkan u shkatërruan ose u shndërruan në kisha me arsye politike për të fshirë identitetin musliman dhe turk. Duke bërë vlerësime për Anadolu për xhamitë e shndërruara në kisha, Yılmaz deklaroi se shumë xhami në Ballkan dhe veçanërisht në Greqi u shkatërruan ose u shndërruan në struktura të tjera.
“Arkitektura e këtyre xhamive është ndryshuar plotësisht. Unë i kam gjetur dhe i kam dokumentuar këto në veprat e mia. Janë 451 struktura që i kam identifikuar në gjeografinë osmane”, tha Yılmaz.
Duke theksuar se xhamitë dhe tyrbet e mbetura nga periudha osmane pësuan shkatërrime të mëdha, veçanërisht në Ballkan, Yılmaz tha se përveç Ballkanit, rreth 30 ndërtesa u shndërruan në kisha në Ukrainë, Gjeorgji dhe Armeni.
Duke thënë se xhamitë u kthyen në kisha për arsye politike, Yılmaz u shpreh: “I kthejnë xhamitë në kisha në mënyrë sistematike. I bëjnë këto për arsye thjesht politike. Disa nga ndërtesat ende përdoren si kisha dhe disa prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Disa ndërtesa u shndërruan në kisha për 80 vjet pas Shtetit Osman dhe më pas u kthyen përsëri në tyrbe ose janë shkatërruar plotësisht. Ka edhe struktura që janë kthyer në funksione të ndryshme”.
Duke tërhequr vëmendjen se popullsia muslimane në Greqi u izolua me forcë nga vendi me shkëmbimin e popullsisë dhe masakrat në vitin 1923, Yılmaz vuri në dukje se xhamitë në vendet ku jetonte popullsia e evakuuar muslimane në Ballkan u shembën ose u kthyen në ndërtesa jashtë qëllimit të tyre.
– “Po bëjnë të ashtuquajturin restaurim”
Duke vënë në dukje se janë bërë përpjekje që t’i bëjnë jofunksionale xhamitë të cilat nuk mundën t‘i kthejnë në kisha, Yılmaz shtoi se “presin që xhamitë të prishen vetë me pretekstin e të ashtuquajturës kryerjen e restaurimit. Këto janë çështje plotësisht politike. Në Ballkan, veçanërisht në Greqi, urrejtja muslimane vazhdon përmes tjetërsimit të xhamive”.
Pasi vuri në dukje se vendet e Ballkanit shembën xhamitë ose ndryshuan arkitekturën e tyre për të krijuar kulturën e tyre, Yılmaz tha:
“Janë minaret tona ato që tregojnë xhaminë dhe horizontin e qytetit. Për shembull dhjetëra minare shkatërrohen me dinamit në një natë në Sofje. Kjo është plotësisht e vetëdijshme. Gjëja e parë që ata bëjnë për të arritur objektivat e tyre me qëllimin për të shkatërruar pamjen turke dhe gjurmën osmane për të krijuar qytetërimet e tyre unike është të shkatërrojnë minaret ose kubetë. Në këtë mënyrë ndryshohet jo vetëm funksioni i ndërtesës, por edhe identiteti i saj. Këtë e kanë bërë edhe austriakët, edhe bullgarët edhe grekët”.
Vendet e Ballkanit e bënë këtë transformim dhe shkatërrim për të shkatërruar plotësisht identitetin turk dhe musliman në rajon, deklaroi Yılmaz, i cili shpjegoi se edhe transformimi i arkitekturës së xhamive të kthyera në kisha nuk ka mjaftuar për disa vende dhe se pamja e këtyre strukturave u ndryshua plotësisht duke luajtur me arkitekturën e tyre.
Yılmaz deklaroi se shtetet evropiane nuk u shprehën kundër këtij shkatërrimi. “Me ligj, xhamitë, tyrbet, shatërvanët apo vepra të tjera në atë vend duhet të regjistrohen fillimisht si pasuri kulturore. Këto xhami nuk janë vendosur nën mbrojtje për shkak se nuk janë të regjistruara. Në kushte normale, këto gjëra ndodhin, por kur brenda kësaj hyn në lojë politika, asgjë nuk bëhet ashtu siç duhet”, shtoi ai.
– “Greqia dëshiron të fshijë identitetin turk dhe musliman”
Myftiu i zgjedhur në Ksanthi, Mustafa Trampa, në vlerësimin e tij për Anadolu në lidhje me strukturat e ndërtuara gjatë periudhës osmane tha: “Osmanët kishin ndërtuar vepra që të adresonin shpirtin e qyteteve. Struktura të tilla si xhami, medrese, shatërvane dhe karvanserajet nuk ishin vetëm thjesht ndërtesa. Në të njëjtën kohë ato ishin edhe simbole që forconin strukturën sociale dhe shpirtërore të atij qyteti”.
Duke thënë se këto punime formuan siluetën e qytetit me filozofinë e urbanizimit të periudhës osmane, Trampa tha se këto struktura nuk u përdorën për qëllimin e tyre në periudhën pasosmane dhe se qeveria greke i prishi ato me kalimin e kohës, ose i përdori për qëllime të ndryshme. Trampa deklaroi se duke bërë ndryshime të tilla, administrata greke synonte që njerëzit të harronin periudhën osmane dhe gjurmët turke./AA