QUO VADIS, DREJTOR ARDIT BIDO?

nga Janko Kalemi

Në ditët që shkuan, më 24 dhjetor 2017, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Ilir Meta, i akordoi Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit, shtetësinë shqiptare, 25 vite pas kërkesës së këtij të fundit. Lajmi u prit sa me entuziazëm, nga besimtarët e krishterë ortodoksë të Shqipërisë apo nga një numër i gjerë gazetarësh dhe opinionistësh të medias së përditshme, aq dhe me pakënaqësi nga kundërshtarët historikë të Kryepeshkopit Anastas personalisht, dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në përgjithësi. Reagimet negative nuk janë të çuditshme në Shqipërinë e bombarduar vazhdimisht me politika nacionaliste anti-greke, të cilat gjithmonë në qendër të tyre përfshijnë edhe Kryepeshkopin e Tiranës.

Kur shprehen nga çdo lloj gazetari me gjysmë morali apo nga çdo drejtues emisioni në kanalet televizive të përditshme apo të përnatshme, këto opinione justifikohen si nevojë mbijetese, kushte të paravëna nga manjatët e mediave, apo thjesht si “hajt mo, varja”. Mirëpo, nuk mund të kalojë pa vëmendje një episod i këtyre ditëve të fundit, deklaratat e tensionuara të Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido, të cilat mund të gjenden këtu (Ora News, në emisionin “360 gradë”), këtu (Fax News) dhe këtu (A1 Report në emisionin “45 minuta”).

Bido është një nga shqiptarët më drastikë gjatë 5-6 viteve të fundit, i angazhuar gjerësisht në debatin e çështjeve kombëtare brenda KOASh, siç është përdorimi i gjuhës shqipe në shërbesa apo shtetësia dhe kombësia e klerikëve të lartë të komunitetit ortodoks të Shqipërisë. Cilido që njeh në nivel të kënaqshëm çështjet teologjike (asaj të Kishës së Lindjes), historinë e KOASh dhe realitetin e sotshëm, e ka fort të lehtë të kuptojë se në tre daljet e mësipërme publike, z. Bido shtrembëron shumë nga faktet historike, nuk artikulon ato pjesë të informacionit që flasin për një të vërtetë ndryshe nga ajo e tija, formulon profeci të bazuara në pandehma vetjake, ngre teori konspirative të pabaza. Përkundër kësaj, nuk harron të bëjë batuta me bashkëbiseduesit (sikur këta janë financuar me bursa studimi nga shteti grek, siç i drejtohet z. Miron Çako në “360 gradë”), apo të quajë bashkëbiseduesin “dumbabist” (siç bën me Dr. Olsi Jazexhi në “Fax News”). Me keqdashje dhe në dëm të bisedës konstruktive mohon ekzistencën e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta (Ligji nr. 10 056, 10 057, 10 958, dt. 21.01.2009). Mirëpo nuk harron të kërkojë një “Ligj organik për fetë”, sipas të cilit do të jetë shteti ai që do të qeverisë edhe punët e brendshme të komuniteteve fetare… Po, është ashtu siç tingëllon: Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë kërkon të ndërtohen mekanizma antikushtetuese, antidemokratike, në shkelje me të drejtat themelore të njeriut, sepse ashtu ia thotë mendja. Quo vadis, Drejtor?

Në emisionin “360 gradë” të Ora News z. Bido u prezantua me titrat thjesht si “studiues”, në “Fax News” u prezantua me titullin aktual që mban, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, kurse në “45 minuta” si “Kreu i Arkivës së Shtetit”. Në këto emisione sigurisht që z. Bido nuk përfaqësoi institucionin që drejton (po të bëjmë hesapin e daljeve publike të z. Bido në emisione televizive, nga koha kur u emërua drejtor në tetor 2016, shumicën e herëve merret me politikë, por jo me çështje arkivore). Në këto emisione u bë zëdhënës i opinioneve politike të partisë PDIU, e cila e ka mbështetur në karrierën e tij, të paktën që prej vitit 2013, kur ishte aleate e forcës kryesore politike, Partisë Socialiste.

Sidoqoftë, në këtë shkrim nuk ka kuptim të merremi me mendimet e z. Bido, ato nuk janë problemi. Problemi qëndron tek imazhi që reflekton Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, autoriteti më i lartë administrativ në fushë të arkivistikës në Shqipëri, udhëheqësi i punës arkivore në rang republike. Titullari i DPA është pjesë e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, sipas Ligjit Nr. 152/2013 për Nëpunësin Civil, dhe gëzon statusin e nëpunësit civil. Si i tillë, Neni 5 i ligjit të mësipërm garanton se: “shërbimi civil udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës, transparencës, profesionalizmit dhe paanësisë politike, si dhe garanton qëndrueshmërinë në detyrë të nëpunësit civil dhe vazhdimësinë e shërbimit civil”. Më tej, po ky ligj ndalon nëpunësin civil të shprehë publikisht bindjet e tij politike (Neni 37, pika 1): “Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”. Çfarë bën z. Bido të paktën në tre emisione publike, ku prononcohet si studiues dhe Drejtor i DPA? Shkel me të dyja këmbët ligjin për Nëpunësin Civil të Republikës së Shqipërisë, të cilin, në pozicionin që mban, detyrohet ta respektojë. Quo vadis, Drejtor?

Matanë aspektit ligjor, nuk mund të mos përmendim edhe aspektin moral. Arkivi Qendror Shtetëror ruan thesaret historike dhe dokumentet administrative të të gjitha komuniteteve fetare të Shqipërisë. Më i vjetri i tyre daton në shek. VI, Kodiku i Purpurt i Beratit, kurse dokumentet më të vona datojnë më 1967, kohë kur institucionet fetare u mbyllën dhe çdo pasuri e tyre e tundshme apo e patundshme u konfiskua. Teksa Drejtori i DPA del dhe kërcënon haptazi KOASh, e paragjykon atë duke hamendësuar se në të ardhmen ka për të qenë vegël e politikave antishqiptare, njëkohësisht paragjykon edhe komunitetet e tjera fetare të Shqipërisë, duke mos gjykuar si të mjaftueshëm ligjet aktualë që rregullojnë marrëdhëniet e tyre me shtetin shqiptar. Në këtë pikë, kryerojtari dhe kryeadministratori aktual i thesareve arkivore bëhet figura më e pabesueshme, kthehet nga kujdestar, në rrezikun kryesor të dokumenteve që ka detyrë ligjore të ruajë. Ose, shqip, është ujku që i kanë varur mëlçitë në qafë. Një person që nxit urrejtje nacionaliste kundër një komuniteti fetar dhe mes këtyre komuniteteve, a mund të jetë garant i ruajtjes së historisë së shkruar të komuniteteve? Fondet arkivore të komuniteteve fetare që ruan Arkivi Qendror Shtetëror janë ndoshta, në total, ¼ e gjithë fondit arkivor të AQSh, janë dokumente fort të rëndësishme për historinë lokale, shkruar në disa gjuhë të ndryshme, dhe dëshmojnë jo vetëm për veprimtarinë administrative fetare, por edhe për historinë e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Këto dokumente janë jo vetëm de jure pronë e komuniteteve, por de facto edhe pronë e të gjithë shqiptarëve, pasuri historike e njerëzimit. Quo vadis, Drejtor?

Kemi dëgjuar shumë marrëzi në Shqipëri. Kemi parë edhe më shumë nga sa kemi dëgjuar. Kur Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave merr pozicione ofensive dhe armiqësore ndaj atyre komunitete që kanë prodhuar dokumentacionin që ai duhet të ruajë, kjo nuk është thjesht marrëzi, është shthurja e iliqes së fundit të konceptit të shtetit. Për ta parë problemin në spektër pak më të gjerë, duhet të shtojmë se kjo dukuri nuk është e izoluar. Në Shërbimin Civil të Shqipërisë është mëse e zakontë të shohësh nëpunës të të gjitha niveleve tek mbështesin hapur politikën, gjatë kohës kur janë në orar pune, ose nga posti që mbajnë në çfarëdo orari. Pasi është pikërisht partia dhe politika që ka promovuar çdonjërin prej mbështetësve të saj, duke e emëruar në postin që mban. Administrata e depolitizuar? Jo, nuk është aspak e tillë. Dhe Drejtori i DPA është shembulli klasik (paçka se më i vogli) i rritjes nga poshtë-lart, në mospërputhje me çdo nen të ligjeve që lidhen me shërbimin civil në Shqipëri.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne