Racizëm në kinema

Aktori britanik Ed Skrein është tërhequr nga roli i tij në filmin e ri “Hellboy”, pas polemikave të mëdha që shkaktoi përzgjedhja e tij për interpretimin e një personazhi me origjinë aziatike.

Ylli i “Deadpool” u justifikua se nuk e dinte racën e majorit Ben Daimio, kur pranoi të bëhej pjesë e kastit të përshtatjes së re të filmit vizatimor në ekran.

Skrein ka vendosur të tërhiqet, me qëllimin që roli t’i jepet dikujt tjetër, i cili të jetë më i duhuri për të. Caktimi i 34-vjeçarit u pasua nga akuza të shumta se, “Hollywood”-i nuk po heq dorë nga praktika e tij e përzgjedhjes së aktorëve të bardhë në rolet e personave të racave të tjera.

Që në vitin 1961, Mickey Rooney u detyrua të përdorte “make up” të fortë të verdhë për portretizimin e baronit japonez I. Y. Yunioshi te “Breakfast at Tiffany’s”. E njëjta metodë përdorej për rolet afrikano-amerikane, vetëm se në ngjyrë të errët.

Një vit më parë, aktorja Zoe Saldana u gjend në mesin e një stuhije të opinionit publik për interpretimin e legjendës së muzikës “Jazz”, Nina Simone, në filmin biografik “Nina”. Kritikët u lëshuan mbi Saldanën dhe ata që e kishin marrë këtë vendim, duke i treguar se në vend që ta lyenin 39-vjeçaren me krem pudër ngjyrë kafe, duhej të kishin zgjedhur një aktore me lëkurë vërtet të errët, e cila edhe t’i afrohej më shumë personazhit.

Tërheqja e Skrein është përshëndetur në rrjetet sociale, përfshirë edhe nga individë që nuk ishin më përpara adhurues të tij. “Faleminderit që po e bën këtë, – shkruan njëri prej tyre. – Nga ky moment ke një fans më shumë në listë”. / Top Channel 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne