RAI 3: Ish-avokati i narko-trafikantëve, pas marrëveshjes Rama-Meloni

Mediat italiane i janë rikthyer sërish marrëveshjes Rama – Meloni mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët e paligjshëm dhe qendrat e pritjes që do të ngrihen në Shëngjin dhe Gjadër. “Rai Tre” do të transmetojë mbrëmjen e së dielës në emisionin “Report” një investigim të veçantë për këtë çështje të përgatitur nga gazetari Giorgio Mottola, por gazeta “La Repubblica” ka zbuluar paraprakisht disa pjesë të dokumentarit.

Kliko këtu për dokumentarin e plotë

Fillimisht janë shqetësimet ekonomike të marrëveshjes ato që ngre dokumentari. Sipas saj, shpenzimet mund të arrijnë në rreth 1 miliard euro, pa mundur të zgjidhin problemin e emigrantëve duke rrezikuar që një pjesë e parave të sekuestrohet nga sipërmarrësi i njohur italian Francesco Becchetti që kërkon paratë e fituara në arbitrazh pas mbylljes së AGON Channel. Në shkrim thuhet se njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria “Meloni” është Engjëll Agaçi, “sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe po ashtu avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, i vënë në qendër e një përpjekjeje të bujshme për të korruptuar shefin të Interpolit në Romë”.

Investigimi ka bërë llogaritë për operacionin e transferimit të emigrantëve në Shqipëri dhe ka zbuluar “një seri të gjatë mospërputhjesh”. Nga dokumentet e konsultuara del se krahasuar me 36 mijë emigrantë në vit që parashikon Meloni, dy qendrat e pritjes shqiptare mund të presin maksimumi 2822 emigrantë, duke pasur parasysh që kapaciteti maksimal është më pak se 1 mijë njerëz.

“Kostot që tani janë jashtë kontrollit. Ndërtimi i dy qendrave ka shkuar nga 35 milionë euro në 65 milionë dhe ka rrezik që ato të rriten më tej duke qenë se punimet po shtyhen. Kostot do të përballohen me shkurtime të rënda fondesh për Ministritë italiane të Arsimit, Mjedisit dhe Shëndetësisë” – citon “La Repubblica”.

Ajo ngre shqetësimin se një pjesë e parave mund të shkojnë në xhepat e Francesco Becchetti, sipërmarrësi i dyshimtë, themelues i Agon Channel.

“Shqipëria u dënua me 135 milionë euro dëmshpërblim për biznesmenin italian, por nuk ka ndërmend ta paguajë. Dhe për këtë arsye ai vendosi të sekuestrojë në mënyrë parandaluese një pjesë të fondeve të destinuara për qeverinë e Tiranës” – thuhet në shkrim.

Emisioni “Report” thotë se ka zbuluar edhe identitetin e njeriut kyç në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, Engjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.

“Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali. Në vitin 2016, disa nga klientët e tij përfunduan në qendër të një polemike ligjore.

“Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafias shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën atje ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu”- thuhet në reportazhin e “Report”. Avokati Agaci mban një nga postet qendrore të qeverisë Rama, si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Kur Giorgia Meloni shkoi me pushime në Shqipëri këtë verë për të diskutuar detajet e marrëveshjes për emigrantët, ai ishte gjithashtu i pranishëm, përkrah Edi Ramës dhe kryeministres italiane.

Emisioni “Report” citon se: “Agaçi ka qenë konsulent i shefit të Interpolit, Gjeneral Fabrizio Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës. Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshme që kishte të bënte me pronësinë e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaçi i cili e vuri në kontakt me një prestanome të Artur Sheut, kreut të trafikantëve të drogës me kontakte me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita.

Lisi thotë se nuk e dinte kush ishte Shehu dhe se kishte besim tek Agaçi. Edhe Rama dhe qeveria i besuan Agaçit. Ishte ai që në rolin e këshilltarit ligjor të Ramës, ndoqi në emër të qeverisë shqiptare padinë e paraqitur nga opozita në Gjykatën Kushtetuese shqiptare në lidhje me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët që mund të bllokonte gjithçka. Agaçi shpëtoi investimin me shumë miliona nga Italia që do të mbërrijnë në Shqipëri. Po flasim për rreth 1 miliard euro në 5 vjet” – shkruajnë mediat italiane./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne