Rama deklaroi të mbyllur procesin e Ballkanit të Hapur. Reagon Vuçiç dhe Berisha.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili the se e konsideron të mbyllur procesin e ‘Open Balkan’.

Vuçiç për mediat tha se nuk beson se Rama e ka dhënë këtë deklaratë dhe se projekti i Ballkanit të Hapur është një ide autonome.Ndër të tjera ai paralajmëroi një takim mes liderëve, ku tha se ta takojë se shpejti Ramën.

“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani. Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiç, citon Express.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Rama nga Ulqini tha se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, deklaroi kryeministri.

Gjithashtu ish-kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në Facebook është shprehur se “Ballkani i Hapur” pati fundin e merituar. Një ditë pasi kryeministri Edi Rama lajmëroi përfundimin e nismës, Berisha reagoi sot me një postim në Facebook, duke u shprehur se ky projekt nënkuptonte “gllabërimin e Kosovës nga Serbia” me bekimin e Shqipërisë. Gjithashtu, Berisha shtoi se qëllim tjetër madhor i Ballkanit të Hapur ishte të kundërshtonte Procesin e Berlinit të BE, ndërsa shtoi se kjo nismë u mbështet fort nga ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov.

Berisha shkroi më tej se ky projekt antieuropian u kundërshtua që në fillim në mënyrë të prerë nga Kosova dhe më pas nga Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi, duke bërë që projekti të mbetet gjysmak dhe përçarës dhe të mos realizojë qëllimet e tij.

Fill pas firmosjes së traktatit në Novi Sad, ideatori i tij Aleksandër Vuçiç deklaroi haptas se qëllimin më kryesor të këtij projekti të serbomadhisë ishte: themelimi i Jugosllavisë së Re plus Shqiperinë. Trojka famëkeqe paraqiti në Novi Sad dhe hartën e Mini shengenit Ballkanik (më vonë Ballkani i Hapur) hartë në të cilën Kosova zhdukej si shtet i pavarur dhe paraqitej si pjesë integrale e Serbisë së Madhe. Kjo hartë do të postahej në faqen zyrtare të facebook të Edi Ramës. Sipas kësaj harte tani nuk bëhej më fjalë për ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqiperisë, por gllabërimin e saj nga Serbia me bekimin e Shqiperisë, njëlloj si në vitin 1945. Qëllim tjetër madhor i Ballkanit të Hapur ishte të kundërshtonte Procesin e Berlinit të BE.

Ky i fundit krejt ndryshe nga Ballkani i Hapur, që stabilitetin e Ballkanit e bazonte në parimin e vjetër të hegjemonizmit serb në rajon, konsideron të domosdoshëm për stabilitetin e rajonit bashkëpunim rajonal të shteteve sovrane dhe të barabarta të tij. Ballkani i Hapur u mbështet që në fillim fort nga Lavrov, i cili me urrejtje e quante nismën e Berlinit si Ballkani i mbyllur i Brukselit dhe nxiste fuqishëm trojkën Vuçiç-Rama- Zaev të zëvendësonin Procesin e Berlinit të BE me projektin e hegjemonisë serbe dhe nëpermjet saj, asaj ruse në rajon,”-shkruan Berisha ndër të tjera/TPZGazetaImpakt

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne