Rama ‘dorëzohet’ ndaj Akademisë së Shkencave, Meta nuk dekreton kryetarin e ri

Presidenti Meta nuk do të dekretojë kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj. Shkak për mosdekretimin e kryetarit të ri të Akademisë janë procedurat jo të rregullta në zgjedhje, pa kandidatë alternativë.

Që prej zgjedhjeve, kryetari i ri nuk ka firmosur asnjë shkresë zyrtare. Ka qenë sekretari shkencor i Akademisë, akademiku Vasil Tole, ai që ka nënshkruar në emër të institucionit. Më 4 shtator të këtij viti, Gudar Beqiraj u zgjodh kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me 28 vota pro dhe 3 kundër.

Procesi zgjedhor për kryetarin e Akademisë kaloi përmes polemikave dhe debateve, ku kritikat adresoheshin për një proces të mbyllur, shkëmbim vendesh mes nënkryetarit e kryetarit dhe zgjedhje pa alternativa.

Procesi zgjedhor u parapri nga një qëndrim i Kryeministrit Edi Rama që e cilësoi atë një farsë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Edi Rama paralajmëroi se “Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të dorëzojë godinë! Prandaj, stop farsës. Akademia zgjodhi farsën, ndaj do t’i hiqen fondet dhe ato do t’i shkojnë Universitetit për kërkimet shkencore”.

Por edhe pse Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të ketë fonde për këtë Akademi Shkencash e cila duhet të reformohet, në projektbuxhetin e vitit 2018 qeveria ka parashikuar pothuajse buxhet të njëjtë. Për vitin 2017, qeveria Rama i akordoi Akademisë së Shkencave 112 milionë lekë të rinj, ndërsa për vitin 2018 ka parashikuar një fond prej 110,5 milionë lekësh të rinj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne