Ikballe Huduti është e para ndër protestueset, e akuzuar për lidhje me Iranin, që shpallet “non grata”…
Një qytetare e Kosovës, e cila më herët u identifikua nga Kryeministri Edi Rama si një mbështetëse e Iranit, është shpallur “person i padëshiruar” nga Qeveria shqiptare.
Pak orë pasi Edi Rama publikoi foton e shtetases së identifikuar si Ikball Huduti (Berisha), ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka nxjerrë urdhërin që i ndalon hyrjen në Shqipëri të saj për 15 vjet.
Vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike. Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Ikball Huduti (Berisha) u akuzua më herët për lidhjet e saj me regjimin iranian, madje Kryeministri publikoi fotot kur ajo shfaqej me ish-presidentin iranian, Mahmud Ahmedinexhad.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës“, shkroi kryeministri.
Ikballe Huduti është e para ndër protestueset, e akuzuar për lidhje me Iranin, që shpallet “non grata”. Gjithashtu Rama ka akuzuar për lidhje me Iranin edhe disa shtetas të tjerë shqiptarë, ndaj të cilëve nuk dihet se ccfarë masash mund të merren, nisur nga fakti se Ikballe Huduti për 15 vite nuk do të lejohet të hyjë në Shqipëri.

Të shtunën (27 qershor) është njoftuar mbajtja e një proteste mbarëkombëtare në Tiranë, ndërsa më 4 korrik është njoftuar një protestë me pjesëmarrjen e Diasporës. Protestuesit kërkojnë jo vetëm largimin e Ramës, por edhe të Sali Berishës si kryetar i opozitës, që e konsiderojnë një “opozitë të shtitur”./pamfleti

















