Rama flet për rilindje të Policisë, ‘harron’ gjunjëzimin përballë kanabisit dhe krimit

Edi Rama vazhdon të besojë se në mandatin e tij të parë qeverisës, Policia e Shtetit është një organizatë e rilindur, ndonëse ka mbi shpinë njollën për kanabizimin e vendit. Natyrisht që mbjellja dhe trafiku i kanabisit nuk u lejua prej Policisë së Shtetit pa një ‘shkelje syri’ nga Rama-Tahiri-Çako etj.

Gjatë fjalës në Lezhë, aty ku u zhvillua edhe ceremonia për 105 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, kryeministri Rama u shpreh se sot Policia e Shtetit është institucioni me besueshmëri më të lartë të publikut. Përtej çdo raporti ndërkombëtar që ai mund të citojë për këtë gjë, në sytë e opinionit publik vendas e të huaj, Policia e Shtetit shihet si një trupë e kanabizuar kokë e këmbë. Për rolin e saj në mbjelljen dhe trafikun e kanabisit, sidomos gjatë tre viteve të fundit, nuk hezitoi të fliste as pasuesi i Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme. Fatmir Xhafa në intervistën e parë në ‘Top Story’ tha se: “Për gjendjen e kanabisit, policia ose ishte treguar e paaftë, ose ishte vetë e implikuar’.

Përtej deklaratave të Ramës që e vizaton Policinë e Shtetit si një organizatë model, janë një seri ngjarjesh që kanë ndodhur në këto 5 vite, që s’të lenë të besosh atë që thotë Kryeministri, se sot Policia e Shtetit është një organizatë e rilindur. Kryengjarja është padiskutim dosja me përgjimet italiane, e cila ka dokumentuar aktivitetin kriminal të Habilajve, dosje për të cilën është nën hetim edhe ish-ministri Saimir Tahiri. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. Kujtoni avionët me drogë, gomonet dhe magazinat që zbuloheshin gati çdo javë në Shqipërinë e viteve të fundit.

Ndërkohë Edi Rama vazhdonte të deklaronte se kanabizimi i Shqipërisë ishte një shpikje e opozitës apo mediave të kazanit. Po të qe kështu, s’do të kishim sot drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të shpallur në kërkim, s’do të kishim as raporte të SHISH ku skedohen qindra efektivë të policisë të përzier në kultivimin dhe trafikun e drogës. Ka edhe më tej. Dhjetra ngjarje kriminale që janë ende pa autorë. Disa skandale që kanë vënë në dyshim integritetin dhe besueshmërinë tek policia si një forcë që duhet të përballet me krimin. Nëse realisht policia  sot do të ishte e rilindur siç thotë Kryeministri, s’do të kishim nevojë as për ‘vetting’. Ky i fundit do të duhej të zbatohej vetëm te gjykatësit dhe prokurorët, jo tek Policia e Shtetit.

Jemi absolutisht të sigurtë se spastrimi i domosdoshëm jetik për ta kthyer policinë mund dhe do ta realizojmë me sukses të plotë. Vetingu në polici është po aq të rëndësishëm sa vettingu që ka nisur në institucionet e tjera të drejtësisë. Një proces i tillë do të bëjë të mundur largimin e të gjithë drejtuesve dhe efektivëve të përfshirë në veprimtari kriminale apo me burime të pajustifikuara të pasurisë të akumuluara në këto vite. Kjo do të jetë baza e mandatit tonë të dytë dhe garancia se në fund të këtij mandati do i themi shqiptarëve e ndërkombëtareve se policia jonë është polici e standardeve europiane”, tha sot Rama.

Nga ana tjetër, opozita nuk beson tek ‘vettingu’ në Policinë e Shtetit, duke akuzuar Ramën se ai dhe ministri Xhafa nuk mund ta bëjnë dot këtë proces.

“Të bashkohemi në një aleancë vlerash për të shporrur aleancën e krimit. I bëj thirrje çdo burri dhe gruaje nën uniformë të gjejë forcën. Vettingu nga Xhafa apo Edi Rama është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë”, u shpreh Basha.

Ky 105 vjetor e gjen Policinë e Shtetit të gjunjëzuar përballë krimit dhe politikës, që për fat të keq vazhdojnë të jenë në një aleancë okulte, fijet e së cilës nuk dihet se si dhe kur do të priten.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne