Qeveria sekretizon shpenzimet për udhëtimet VIP…
Kryeministri Edi Rama ka vendosur që milionat që ai harxhon bashkë me ministrat për udhëtime, hotele, avionë dhe qejfe jashtë vendit, të mbeten sekrete. Edhe pse opozita e ka akuzuar shpesh se ai ka harxhuar miliona për udhëtime me charter apo për bileta në ndeshje futbolli dhe basketbolli, nuk ka pasur transparencë. Por me një vendim të marrë sot në mbledhjen e qeverisë, duket se kjo transparencë nuk do të ndodhë kurrë.
Qeveria ka bërë një ndryshim në vendimin nr. 34, datë 7.1.1999, që ka të bëjë me kompetencat e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sa i takon blerjes së biletave të avionëve dhe akomodimit në hotele për personalitetet. Sipas këtij vendimi, procedurat do të jenë tërësisht sekrete.
Në vendimin që ka qenë në fuqi deri më tani thuhej: “DSHQ ofron shërbime si agjenci udhëtimesh, për shitjen e biletave në fushën e transportit ajror dhe rezervimin e akomodimit në hoteleri jashtë vendit, për institucionet e larta shtetërore, Kryeministrinë, ministritë e linjës dhe, me kërkesë të tyre, për Presidencën dhe Kuvendin e Shqipërisë”.
Por qeveria ka bërë një ndryshim thelbësor, që do të thotë se nga tani e në vijim do të jenë sekrete shpenzimet për udhëtimet e Kryeministrit, ministrave apo funksionarëve të tjerë.
“Shkronja ‘ë’, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon: ‘ë) Ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror, si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit dhe siguron shërbimet logjistike shtesë për delegacionet shtetërore jashtë vendit, për Kryeministrinë dhe ministritë. Për Kabinetin e Kryeministrit, institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre. Shpenzimet për kryerjen e këtyre shërbimeve mbulohen nga buxhetet e institucioneve përfituese. DSHQ-ja negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Detyrat dhe përgjegjësitë e DSHQ-së për përmbushjen e detyrimeve për ofrimin e shërbimeve, si organ qendror blerës të përcaktuar në këtë shkronjë, si dhe tarifat e shërbimit miratohen me vendim të Këshillit Drejtues’,” thuhet në vendim.
Çështja e udhëtimeve të personaliteteve jashtë vendit ka qenë gjithmonë e debatueshme. Vetë Rama ka fshehur shpenzimet për udhëtimet me charter. Ka pasur ministra që kanë shpenzuar miliona lekë për një natë në hotel. Shumë të tjerë kanë përfituar dieta etj. Por duket se Babloku tani ka vendosur që paratë e shqiptarëve të bëhen rrush e kumbulla dhe të mos e kuptojë njeri. /Pamfleti


















