Rama ka prekur fundin, “gjen” shpëtim tek varret…

Nga Reldar DEDAJ

Gjithmonë marrëzia ka magjepsur njerëzinë. Në Gjirokastër, Sokakut të të Marrëve i vunë emrin Rruga e Pionerëve; por emri i ri nuk jetoi gjatë. Sokaku i të Marrëve nuk do të vdesë kurrë. Kudo në botë marrëzia ka lënë shenja të pashlyeshme: Ka mbetur emërtimi Anija e të Marrëve, Margoja e të Marrëve, Vallja e të Marrëve. Marrëzia ka fituar hierarki. Ajo ka dal sheshit; në bulevard, në kafen e lagjes, në mes të fshatit. Disa tremben, disa nuk tremben aspak por vetëm tregojnë me gisht, disa të tjerë sjellin në kujtesë të shkuarën. Tani në demokraci edhe marrëzia ka fituar lirinë. Tani ndodhet kudo, aty ku ndodhesh ti dhe ku ndodhemi të gjithë.

Po cila është marrëzia, për atë që po flitet gjithë këto ditë?

Një prej të shumave ose më e shpeshta nga ato, është ajo që ka vendosur të bëjë qeveria prej kohësh: hapja e “varreve politike”, sot dhe dje, ka bërë të njëjtën gjë. Me siguri, “varret politike” janë e vetmja dëshmi e gjallë nga kapen dhe nga ku mund të pritet të nxirret diçka.

Në fillim, mbi varr nxorën diktatorin Hoxha, të shkretin Olldash që nga vdekja e deri sot e kanë lënë buzë varrit e fusin dhe e nxjerrin mbi dhe, sa herë t’u duhet. Viktimat e ’97 dhe tragjedia e Otrantos po atë vit u rikthye edhe njëherë. U kthyen të gjallurit, por që u pandehën të vdekur me dëshmi dhe rrëfime rrënqethëse.

Duket se qeveria është në grahmat e fundit të saj, ajo po bie? Për këtë arsye po bëhet gjithë kjo zhurmë. Qeveria ka menduar të gjejë shpëtim tek të vdekurit. Ndoshta, nuk ka ku kapet tjetër. E majta nuk dorëzohet kollaj, edhe e mbytur- diku kapet…te rrënjet e pemës. Por kur vjen koha, vjen.

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama shkoi në Vlorë për të kujtuar tragjedinë e Otrantos. Ishte kohë lufte atëherë dhe njerëzit me të drejtë kishin marrë rrugët për t’u larguar nga vendi, si nga toka, deti dhe ajri. Sot, Shqipëria nuk është në luftë, por si atëherë mos më shumë shqiptarët po largohen nga të gjitha anët. Mirëpo, Rama nuk mjaftohet me kaq, nisi gërmimin e varrit në fund të detit në kanalin e Otrantos ku u mbytën 105 njerëz që po tentonin të linin vendin, shtëpitë dhe gjithçka. Kjo tragjedi ka ndodhur para 20 vitesh, që nga ajo kohë e deri sot mund të kishin ndryshuar shumë gjëra, por përsëri Shqipëria renditet në vendin e dytë mes vendeve emigruese në botë, me më shumë azilkërkues në dyert e Europës.

Çfarë marrëzie. Në të njëjtën ditë në Durrës u zbuluan dy varre antike, por u zbuluan në pjesën ku qeveria ka vendosur t’a betonojë përjetë, për të ndërtuar një mbulesë betoni që do të quhet Veleria, ose kapaku përfundimtar i mbylljes së këtyre varreve. Mirëpo, marrëzia e qeverisë qëndron në faktin se aty ku duhej të ekzistonte interesi për të shkuarën për historinë, e mbyll përfundimisht dhe aty ku s’duhej e hap.

Shkatërron antikitetin dhe hap kutinë e Pandorës, kujton krimet e ’97 dhe ka alergji nga trashëgimia jonë historike dhe kulturore. A nuk është marrëzi fakti se shkon në një qytet bregdetar për të hap një varr dhe po në një qytet tjetër bregdetar mbyll një varr? Pse është kaq i vështirë ky njeri, duke hapur varrin e vitit 1997, jep argument politik që secili të bëjë krahasim me emigrimin në masë të shqiptarëve kohët e fundit. Dhe e dyta, pse ka kaq alergji nga antikiteti; a nuk është ai një e dhënë e rëndësishme qytetërimi?

Por, sigurisht, në rastin e Durrësit antik, qeveria ka zero interes. Madje ka një urrejtje të pashoqe ndaj trashëgimisë dhe dëshmisë historike, pasi sikur të mos ishin zbuluar ato dëshmi, qeveria do të ndërtonte “për qejf” pa prishur gjakun fare, madje ku t’ia dojë zemra. Në daçi edhe në fushën e stadiumit romak, a në daçi tjetër edhe mbi gërmadhat e qytetit antik të Epidamnos.

Mediat, nga ora në orë, shfaqen më të lodhura. Spikeret e televizioneve, si disa shitëse në fund të kohës së komunizmit, presin më kot mall të ri. Asnjë lajm politik. Gjithçka duket një lojë. Marrëzia nuk ka shenjë tjetër dalluese. Pikërisht atëherë kur po ndodh e papritura, duket se asgjë nuk po ndodh. Të gjithë ndjehen të lodhur nga pritja…

Ja që vjen një rast si ky, kur historia parashekullore e marrëzisë sillet rrotull si fantazmë.

Marrëzia edhe në shekullin 14-17, kur e mbyllën, u kthye në një rrezik të madh për Kontinentin Evropian. Edhe sikur në dryrë t’a mbyllësh marrëzinë, ajo bëhet shumë e rrezikshme dhe aq më shumë në kohën tonë moderne, katër shekuj pasi marrëzia u lirua nga muret në Evropë. Njerëzit sot e shikojnë marrëzinë kudo në rrugë, e ndjekin përmes ekraneve, e shikojnë në podiume e tribuna dhe megjithatë dyshojnë sa te vetja aq edhe te vetë marrëzia.

A nuk dyshuan mijëra njerëz cila ishte marrëzia në momentin kur dëgjuan se 600 policë po kërkonin “fundin e marrëzisë” që rezultoi në një flluskë sapuni?

Por marrëzia nuk ka fund. Përsëri, në fund të mandatit qeverisës, socialistët kanë vendosur t’i paraqesin popullit ofertën për lumturi. Edouard Herriot, kryeministër francez, kur pat vizituar Ukraninën në kohën e urisë së madhe, pat takuar vetëm “fëmijë që qeshnin e që i thoshin atij se hanin pite me mish çdo ditë”.

Edhe në Shqipëri gjithnjë po ndodh që Edi Rama të thotë se po ju sjell lumturinë. Për katër vite, asnjëherë nuk ndodhi që në fjalimin e fundit të tij, Edi Rama të thotë: Ja ku e keni, ua solla.

Kudo po shpaloset lumturia për popullin… Nuk e dimë a e kuptojnë njerëzit se sa e keqe është kjo? Popullit që i premtojnë lumturinë, po i sjellin iluzionin për herë të dytë. Lumturia, një fjalë aq e thjeshtë për t’u thënë dhe aq joshëse për njerëzit mesatarë, përbën rrezik shumë të madh për shoqërinë.

Qeveria e drejtuar nga Rama, me shumë gjasa, e ka humbur forcën për të ndryshuar, për t’u riafirmuar. Ajo është shumë e dobët, është kulturalisht shumë e dobët. Mjafton të shikosh sesi gazetarët dhe qarqet e saj propagandistike diskutojnë për problemet e Shqipërisë, askush se njeh më këtë qeveri. Mendimi qëndron në nivelin më të ulët të mundshëm. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama u prit se mund të ishte atdheu i dijes, i intelektit, i mendimit, por sot është një karikaturë e vetvetes. Qeveria Rama është e dobët shpirtërisht dhe mendërisht. Nuk është e mundur të shërohet, pasi lidhjet e saj të errëta nuk do ta lejonin./Opinion.al

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne