Rama komenton akuzat e Ahmetajt për kërcënimet me jetë: Ata që kanë çështje me drejtësinë ndjehen viktima të forcave të errëta

Kryetari i PS-së, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së PS kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje për çfarë është diskutuar, por refuzoi që të përgjigjet për akuzat e Ahmetajt.

Pjesë nga prononcimi i Ramës me gazetarët:
– A duhet të mbani qëndrim për dy akuzat që janë bërë nga ish numri 2 i qeverisë zoti Ahmetaj? Një qëndrim ndoshta dhe një koment për ato akuza dhe për qytetarët dhe anëtarët e PS pasi zoti Ahmetaj të paktën zyrtarisht vijon të jetë ende anëtar i PS?

Kryeministri Edi Rama: Tani, për qytetarët mos u shqetësoni sepse duhet të jeni shumë të sigurta dhe të sigurtë që leximin e opinionit të qytetarëve ne dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër sepse jo vetëm jemi në territor me qytetarët, por mbi të gjitha prej shumë vitesh kemi instrumente shkencorë përmes të cilave vlerësojmë opinionin qytetar, ne zhvillojmë anketime të rregullta për opinionin qytetar për çdo çështje. Ne zhvillojmë fokus grupe në mënyrë të vazhdueshme për të kuptuar cilat janë shqetësimet e qytetarëve, çfarë qytetarët presin nga ne, çfarë kritikash kanë ata për ne dhe ne zhvillojmë fokus grupe me qytetarët që na votojnë, me qytetarët që nuk na votojnë dhe kështu me radhë.

Kështu që për qytetaret mos u shqetësoni, ata janë shumë të qartë dhe gjithmonë janë më të qartë sesa ne, se ju po e po sepse qytetarët merren gjithmonë, qytetarët shqiptarë që unë e kam thënë dhe e përsëris sa herë më jepet mundësia, janë politikisht një bashkësi jashtëzakonisht e interesuar dhe jashtëzakonisht me nuhatje. Dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi dhe për pyetjet që më bëni, është një pyetje e tepërt, e kotë, e përsëritur që ka vetëm një përgjigje. Partia Socialiste, unë dhe të gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë dhe çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye. Unë kam qenë shumë serioz që ditën e parë kur kam thënë: duam një reformë në drejtësi për t’i hapur rrugën më në fund në një Shqipëri ku s’ka pasur kurrë drejtësi, një drejtësie që është jashtë influencës së pushtetit ekzekutiv dhe këtë ne e kemi arritur sot por është një arritje që nuk është e pakthyeshme prandaj ne do të vazhdojmë të qeverisim që këtë arritje ta bëjmë të pakthyeshme duke qene ne ata që e garantojmë drejtësinë, që është e lirë të veprojë, i ka duart e lira të veprojë mbi këdo dhe për çfarëdo arsye që drejtësia beson se X, Y, Z, të majtë, të djathtë, të qendrës, nën apo mbi, anash apo mbrapa duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.

– A e keni kërcënuar ju Arben Ahmetajn në mbledhjen e kryesisë? Se ai pretendon që më pas kërcënimet kanë shkuar dhe tek familja dhe janë kthyer në kërcënime me jetë.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste e ka shumë të qartë pozicionin e vet. Ju mund të pyesni sa herë të doni, mund të komentoni sa herë të doni. Është liria dhe e drejta juaj të bëni komente për çdo gjë, por është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vetë e pa shqetësuar nga ndikimi i pushtetit ekzekutiv, madje e pa shqetësuar as nga komentet e atyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste.

– Një koment për akuzën që ju keni qenë strateg i kanabizimit të vendit sepse vjen nga ai që ka qenë bashkëpunëtori juaj më i afërt.

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë. Kjo vlen për të gjithë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Fatmirësisht kemi sot një ditë të re në rrugëtimin ende të gjatë të drejtësisë në Shqipëri e në këtë ditë të re kemi një pikë referimi që është struktura antikorrupsion e ndërtuar pikërisht për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur dhe ne jemi Partia Socialiste që mision kemi të bëjmë të mundur gjëra që për të tjerët kanë qenë të pamundura apo gjëra që shumëkujt i duken sot e gjithë ditën të pamundura, por hap pas hapi do të shohin të gjithë e do të besojnë të gjithë se koha kur flamuri i partisë, i cilësdo parti, ishte gjethe fiku apo ishte çarçaf për të mbuluar hijet në trup ka vdekur”-tha Rama.

Pak ditë më parë, ish-kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi në një intervistë për “Çim Peka Live” në Syri Tv, se është kërcënuar 3 herë, nga këto një herë nga burgu.

“Rama nuk më la të shkarkohesha që ta bëja siç duhet largimin. Ai më ka kërcënuar në atë mbledhjen e famshme të kryesisë ku më larguan. Në mbledhjen e kryesisë ai ka thënë që “unë largohem sepse kam dëmtuar unitetin e partisë”.

Në mbledhjen e kryesisë ai ka thënë “Do shkojë në të sëmës ai që prish unitetin e kryesisë”. E mora vesh që atë ditë, por nuk reagova. Dhe bëra mirë që nuk reagova, le të bëjë batuta sa të dojë. Në vazhdim u mor vesh që nuk isha pjesë e dosjes së Elbasanit dhe të Fierit dhe pastaj u sajua historia e dhënies së dosjes. Jo po u dha tek Sofra e Ariut, jo po i humbi Ramës dhe ia dhanë Adriatik Doçit.

Menjëherë filloi Top Channel, TCH e filloi goditjen kur kishte gjyqin në Gjykatën e Lartë për pronësinë. E mbajti 3 muaj emrin tim. Korrupsioni im? Ku ishte korrupsioni im? 3 muaj nuk ka mbajtur luftën e Kosovës ai TV, apo luftën e Ukrainës, por e mbajti me mua. Sigurisht që TCH e kishte të frymëzuar politikisht sulmin ndaj meje. Frymëzohej nga Edi Rama. Nuk kam frikë ta them. Ka bërë takim “X”-i dhe kryeministri për këtë çështje.

U bë emision në TCH për Ditmir Bushatin. E kërkoi Rama. U bë për Niko Peleshin. E kërkoi Rama. U bë për Xhafën. E kërkoi Rama. Ramës ia dërgova dhe një haber. Ej mjaft. Nuk më do në parti, nuk më do në qeveri? OK. Mos u merr me mua.

Unë dola në “Opinion”. Një ish-miku im tha: “Ky Ahmetaj është budalla me shumë shkollë”. Nuk i bëra karshillëk kryeministrit.

Jam kërcënuar 3 herë nga njerëz të panjohur. Një herë në telefon nga burgu dhe dy herë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur kërcënimi kaloi tek gruaja që mbante fëmijën tim tek liqeni nuk e lashë më si trim i madh. hera e fundit ishte tek rrethi tek liqeni. Kanë qenë kërcënime të frymëzuara politikisht. Të dalë kryeministri dhe të thotë “të vejë në të sëmës” dhe të të thotë “po të isha unë gjykatës dhe prokuror di të ishte më keq” normal që do kisha kërcënime.”-tha Ahmetaj./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne