Rama kopjon idenë e Berishës? Media italiane: Diskutoi me Melonin për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, mbërriti pasditen e djeshme në Vlorë, për pushime me familjen, ndërsa ka zhvilluar edhe një takim informal me kryeministrin Edi Rama në rezidencën qeveritare.

Media italiane ‘Quotidiano.net’, ka zbuluar detaje rreth një sërë çështjeve që janë diskutuar ndërmjet dy liderëve dhe që përfshijnë të dy vendet.

Sipas medias italiane, temë kryesore e diskutimit ishin investimet italiane në vendin tonë dhe e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por një tjetër temë që është diskutuar ka qenë edhe mundësia e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar.

‘Çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, nga prania (masive, deri tani) e sipërmarrësve italianë te emigracioni, nga lufta në Ukrainë tek e ardhmja e Shqipërisë në BE, ishin disa nga temat që u diskutuan në bisedën joformale. Po ashtu u diskutua edhe çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që ka sjellë qindra mijëra italianë në Shqipëri.’- shkruan ndër të tjera media italiane.

Idenë për centralin bërthamor e hodhi për herë të parë më 21 janar 2010, ish-kryeministri Berisha, duke u pasuar me kritika të ashpra nga opozita e drejtuar nga Rama dhe vendet fqinje që kishin frikë nga ndërtimi, sipas projektit, në zonën e Shkodrës.

Berisha, 13 vite më parë, deklaronte: “Unë jam Kryeministër dhe unë, së pari, duhet të përcaktoj interesat publike të shqiptarëve. Për mua, dhe unë kam bindjen e thellë, edhe interesi i shqiptarëve, nuk është të privojnë veten nga mirësitë e energjisë bërthamore, sepse kjo energji është provuar dhe faktuar si jashtëzakonisht e dobishme për vende shumë të zhvilluara siç është Franca, që mbi 60 për qind të energjisë që konsumon e nxjerr nga centralet bërthamore dhe Franca është një vend me burime enorme, me lumenj të mëdhenj, me burime shumë të mëdha energjie të rinovueshme. Por Franca 63 për qind të energjisë e ka nga centralet bërthamore. Centralet bërthamore po rikthehen në një seri vendesh, në Britaninë e Madhe, në Finlandë, në Bullgari, Rumani. Pra, është burimi më konstant, më i pasur i energjisë. Përse shqiptarët u dashka që për hir të konotacioneve globaliste të përjashtohen nga ky burim? Absolutisht jo. Historia e energjisë është e tilla, në një treg që ndoshta do t’i duhen dekada ose shekuj për t’u plotësuar dhe që ndoshta nuk do të plotësohet ndonjëherë. Sepse energjia shkon, ndjek rritjen. Mirëpo ne jemi në kohërat e rritjes së madhe ekonomike.

Në rast se rritja ekonomike para shekullit të 20-të, në rreth 800 vite të marra, rritja ka qenë një rritje që luhatej nga 1 në 2 për qind, ose minus, çka bëri që njerëzimin ta shoqërojë një mijëvjeçar varfërie dhe vetëm varfërie. Ky kapitull është mbyllur në shekullin e 20-të. Shekulli i 20-të është shekulli i rritjeve të mëdha ekonomike. Imagjinoni çfarë rritje ka Kina me 8-10-12-13. Po kështu ka filluar të rritet India. Pra, jemi në një kohë, ku energjia, pa diskutim, mbetet tregu më i rëndësishëm për t’u plotësuar. Shqipëria duhet të shfrytëzojë të gjitha potencialet, të gjitha format e energjisë. A do të ndërtohet central bërthamor në Shqipëri apo jo, ky nuk është përcaktim i imi, sepse këtë do ta përcaktojnë ekspertët. Në qoftë se ekspertët do të thonë se centrali është i mundshëm, pasi ato kanë disa kushte, p.sh e morën e thanë në Shkodër, është marrëzi, nuk mund të ndërtohet në afërsi të një qendre apo një qyteti, kjo është absurde. Por, në rast se ekspertët përcaktojnë vendin e sigurt për ndërtimin e tij në Shqipëri, unë absolutisht jam dakord që nesër. Në rast se ekspertët thonë se duhet të përzgjidhet një vend më i mirë, do të punojmë për një projekt rajonal, ku do të përfshihen edhe vende të tjera.

Por vendimi i djeshëm, është vendimi i përgatitjes së Agjencisë, e cila në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, do të përgatisë të gjithë infrastrukturën ligjore të shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime paqësore nga Shqipëria… Bullgaria e ka një dhe po ndërton një tjetër central bërthamor. Rumania po ndërton një central bërthamor shumë të madh. Kroacia e Sllovenia kanë një të përbashkët. Qeveria kroate tregoi gatishmëri të plotë që ta ndërtonim një së bashku. Pra, nga vendet e rajonit, 4 prej tyre kanë, disponojnë dhe ato absolutisht kanë përfituar prej tyre. Bullgaria dhe Rumania janë eksportues të rëndësishëm të energjisë. Bullgaria mbylli një të tillë, sepse e kishte me teknologji Çernobili, por vendosi menjëherë të ndërtojë tjetrin, me teknologji më të avancuar dhe me masa sigurie më të mëdha. Nuk shoh në mënyrë absolute asnjë problem për centralet bërthamore. Ato janë shumë të sigurta. Ato që ndodhën, ndodhën në Çernobil dhe ajo është një teknologji thellësisht e tejkaluar”, shprehej Berisha.

I pyetur se me çfarë financimesh apo me cilat vende të rajonit mund ta ndërtohej centrali bërthamor në Shqipëri, Berisha përgjigjej: “Së pari mund të jetë iniciativë private dhe konsorciumi kërkon nga Shqipëria që t’i blihet energjia, apo nga Kroacia, apo shtetet përreth. Së dyti, shtetet tona, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Kroacia, së bashku, mund të përballojnë pa asnjë dhimbje koke ndërtimin e një centrali bërthamor, nga i cili të marrin energji në proporcion me kontributin e tyre. Nuk është e pamundur kjo, vendet po ecin drejt zhvillimit”.

Ideja e Berishës mbeti në letër dhe në vend mbinë si kërpudhat pas shiut HEC-et vendore në çdo lum dhe përrua që kanë dëmtuar rëndë burimet ujore për fshtrat dhe kanë rrezikuar edhe parqet kombëtare./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne