Rama ndryshon version: E vërteta e arrestimit tim në Bolonja dhe sherri me policinë

Kryeministri Edi Rama e ka ndryshuar versionin e tij të dhënë për mediat italiane ku mburrej se ishte arrestuar vite më parë në Bolonja pasi kishte debatuar me një polic. Pasi Partia Demokratike i kujtoi Ramës se kjo përbënte shkelje të ligjit të dekriminalizimit, pasi duhej ta kishte përmendur këtë fakt në formular, Rama e ktheu pllakën.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan: “O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?!

Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!” – shkruan Rama.

Në intervistën për Gazzeta Dello Sport Rama shprehej: “Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti”.

Por kjo deklaratë sipas ishdeputetit Oerd Bylykbashi mjafton që Rama të preket nga ligji i dekriminalizimit.

“Kryeministri NUK e ka deklaruar kete arrestim ne formularin e Dekriminalizimit! Ne rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet te gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeminister!” – deklaronte Bylykbashi./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne