Opinion

Rama, pelivani i reformës

Debati i fundit për mënyrën e arrestimit të deputetëve është një provë më shumë se Edi Rama ka manovruar në mënyrë brilante gjatë procesit të rerormës në drejtësi. Natyrisht për interesin e tij. Ai ka luajtur publikisht gjithmonë pro reformës, ka bërë sikur i ka lënë ndërkombëtarëve në duar një letër të bardhë dhe nga ana tjetër, është munduar ta minojë atë duke e shndërruar nga një kërcënim, në një mburojë për veten dhe ministrat e tij socialistë.

Po të futesh sot në Google të dhe kërkosh me termat “Edi Rama” dhe “reforma në drejtësi”, aty dehesh nga një frymë pozitive . Ai do ta miratojë atë se s’bën, ai e lidh atë me të ardhmen europiane të Shqipërisë, ai hiqet si partneri kryesor përkrah diplomatëve të huaj që duan të shtynë përpara procesin.

Ndërkohë që kundërshtarët e tij kanë lënë në publik dhe ndërkomtarisht shijen e rrefuzuesit, e stërkëmshaxhiut, e sovranistit, Rama ka zgjedhur një strategji tjetër. Ai gjithmonë ka bërë lojën e atij që e mbështet ditën, por e minon natën. Ai ka zgjedhur një taktikë perfide dhe shumë më inteligjente sesa rivalët e vet. I bindur se pas saj kishte një vullnet ndërkombëtar, i ndërgjegjshëm se cilido që do i bënte barrikadë do të goditej fort, i vetëdijshëm se Shqipëria nuk mund të ndiqte një trajektore tjetër qoftë nga ajo e Kroacisë, qoftë nga ajo e Rumanisë apo edhe qoftë nga Maqedonia e Kosova, ai vuri bastin që atë që se bënte dot hapur, t’a bënte nën rrogoz: ai mund të mbrohej më shumë duke u hequr si adhurues i reformës sesa duke veshur kostumin e armikut të saj.

Dhe në realitet ka ndodhur pikërisht kështu.

Në këtë kuadër duhet parë edhe ndryshimi i fundit i rregullores që po i propozohet kuvendit (lexo poshtë/lapsi.al), i cili në thelb sanksionon se burgosja ose jo e një “peshku të madh” varet vetëm nga vullneti i shumicës qeverisëse për të dorëzuar atë. Pra ashtu sikurse në rastin Tahiri, nëse deputetët socialistë mendojnë se prokuroria nuk ka të drejtë, ata nuk e japin lejen për arrestim.

Por, po të shkosh edhe më tej e dallon se kjo nuk është një lëvizje e rastësishme. Prapa saj fshihet një plan perfid dhe i kalkuluar mirë për të mbrojtur jo vetëm kryeministrin, por edhe njerzit e tij të afërt.

Të gjithë e mbajnë mend se gjatë mandatit të parë Rama vuri një rregull që e trumpetoi me të madhe. Që ministrat nuk do të ishin edhe deputetë. Se ata do t’i përkushtoheshin vetëm punëve qeveritare duke humbur kështu krejtësisht imunitetin parlamentar.

Por, menjëherë pas miratimit të reformës në drejtësi, kur pritet ngritja e SPAK dhe Gjykatës Speciale, Rama hoqi dorë nga “shpikja” e 2013. Tani ministrat me të cilët ai firmos koncesionet, organizon garat publike, financon projektet maramendëse, jo vetëm janë “të paarrestueshëm” nëse nuk do shumica socialiste, por ata mund të mos japin kurrë llogari për bëmat e tyre.

Po t’i shtosh kësaj tabloje edhe skuthllëqet për të mos ngritur KLP, për të vendosur një kryeprokurore të ngjyrosur me të kuqe dhe pa vetting, për të kontrolluar fondet dhe burokracinë e OMN-së, bëhet edhe më e qartë se Edi Rama ka pasur vetëm një qëllim: ta mburrë reformën me fjalë dhe nga ana tjetër t’a përdorë atë si një çadër për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Projekti i fundit, që i pengon prokurorët të burgosin një deputet socialist pa bekimin e partisë, është prova më e vërtetë për këtë. Ai është dëshmia se Edi Rama, prej dy vitesh, po mban një ekulibër të admirueshëm në tehun e hollë që ndan armiqtë e hapur të reformës me ata që hedhin gurin e fshehin dorën. Në publik Rama ka fituar famën e prijësit të grupit të parë. Ndërsa në kulisa është sjellë si një makiavelist perfekt për të marrë për vete maksimumin e mundshëm të garancive.  Dhe ia ka arritur duke e zhveshur më në fund reformën në drejtësi nga thelni i saj, nga ambicia për të goditur njerëzit me pushtet.