Rama: Presidenti Erdogan është një mik i mirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve

Në kuadër të projektit “Frymëmarrje për të ardhmen”, ndërmarrë nën kujdesin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Tiranë është organizuar aktiviteti i dhurimit nga Turqia të 1 mijë fidanëve frutorë, ku një pjesë e tyre janë mbjellë edhe gjatë ceremonisë ku përshëndeti me video-lidhje presidenti turk.

Në ceremoninë e organizuar në Liqenin e Farkës në Qarkun e Tiranës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Bledi Çuçi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, koordinatorja e Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan dhe zyrtarë të tjerë.

Presidenti turk në lidhjen e drejtpërdrejtë në ceremoninë e dhurimit është shprehur se pemët sot në Shqipëri mbjellen si shenjë e miqësisë midis Turqisë dhe Shqipërisë.

“Përshëndes mikun tim Edi Rama. Shpresojmë që këto pemë që mbjellen sot në Shqipëri si shenjë e miqësisë sonë të qëndrojnë dhjetëra, qindra vite”, tha presidenti Erdoğan.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në aktivitet tha se ky është edicioni i dytë i një festivali ndërkombëtar, organizuar nën kujdesin e presidentit Erdoğan.

“Në edicionin e parë në shumë vende të botës në të njëjtën orë janë mbjellë 11 milionë pemë, çka siç kam mësuar ka hyrë dhe në librin Guinness të rekordeve. Sot në Tiranë jemi së bashku në të njëjtën orë me një numër të konsiderueshëm vendesh të tjera për të mbjellë këtu në Liqenin e Farkës 1.000 pemë në një proces ku Tirana ka qenë në vijën e parë me një ndërprerje të vogël ndërmjet dy fazave, gjatë kohës që unë isha kryetar bashkie dhe që kur Erioni ka marrë bashkinë në funksion të shumicës”, theksoi Rama.

Më tej, kryeministri Rama theksoi se në muajin dhjetor Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me ministrinë homologe në Republikën e Turqisë do të ulen së bashku për të diskutuar një plan të përbashkët, ku ndër dimensionet e tjera, siç tha ai, është edhe “dimensioni i gjelbër lidhur me pyjet, për të cilat Turqia është një nga shembujt më domethënës sot në botë dhe ka një ekspertizë të jashtëzakonshme që bujarisht do të na e përcjellë edhe neve”.

“Edhe një herë shumë faleminderit për këtë nismë dhe për praninë e ambasadorit, një mik i mirë i Shqipërisë, i shqiptarëve, siç është patjetër edhe i tillë presidenti Erdoğan”, u shpreh Rama.

Ambasadori Yörük, nga ana e tij, tha se i është kushtuar një vëmendje e veçantë programit “Frymëmarrje për të ardhmen”.

“Mund të themi që ky projekt është filluar nëpërmjet iniciativës kryesore të presidentit të Republikës së Turqisë, Erdoğan, vitin e kaluar dhe tashmë ashtu siç jemi mbledhur edhe sot në këtë ceremoni e cila do të përhapët dalëngadalë në të gjitha vendet e rajonit. Aktualisht është një projekt që po zbatohet tashmë në 30 shtete të botës. Besoj që shumë shpejt do të arrijë në shifër akoma më të lartë. Dua të ndaj ndjenjat e mia të përzemërta këtu dhe njëkohësisht dua të falënderoj qeverinë shqiptare që na qëndroi pranë si një mbështetje ndaj këtij projekti”, u shpreh ambasadori turk në Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj në lidhje me projektin tha se kjo është një iniciativë e nisur në Turqi nga presidenti Erdoğan dhe një festival i cili quhet frymëmarrje drejt të ardhmes.

“Besoj se një nga gjërat që na bëri shumë të ndjeshëm gjatë eksperiencës me COVID ishte fakti i një paqeje që duhet të arrijmë me natyrën”, shtoi Veliaj.

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, duke iu drejtuar presidentit Erdoğan tha se, “I nderuar president, më lejoni të përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit Rama i cili ishte me ne sot për më shumë se një orë këtu në Farkë. Ne po mbjellim rreth 1.000 fidanë në kuadër të këtij festivali madhështor të pyllëzimit jo vetëm të rajonit, por do të thoja një iniciativë për gjithë botën. Si ministër jam shumë i  lumtur që jam pjesë e kësaj iniciative. Faleminderit dhe ju përshëndesim nga Tirana.”

Fidanët frutorë janë mbjellë në Njësinë Administrative Farkë në Qarkun e Tiranës me mbështetjen e TIKA-s./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne