Kryeministri Edi Rama, ashtu siç dukej nga fushata e Rilindjes, që i parapriu deklaratave të tij të para për çështjen e përgjimit të Ndragheta nga anti-mafia italiane, ka marrë vendimin që këtë çështje ta mbyllë.
Pavarësisht se çfarë po heton prokuroria italiane përtej detit, një pjesë e përgjimeve flasin për atë që po ndodh në Shqipëri. Vetë prokurori italian i çështjes deklaroi për mediet vendase, se ka nevojë për hetim më të thelluar nga drejtësia shqiptare. Edhe drejtuesi i SPAK, Kraja, deklaroi në TCH se do ta ndjekin çështjen. Por për Edi Ramën ajo është mbyllur, me konkluzionet në Itali.
Janë të shumta institucionet ndërkombëtare që kanë ngritur “flamujt e kuq” për këtë çështje, duke dhënë edhe fakte konkrete si ai se 60% e biznesmenëve që kanë fituar lejet e ndërtimit në kryeqytet, nuk kanë pasur financat e mjaftueshme për të përfunduar projektet.
Ku i gjetën më pas financat që shkojnë në qindra milion euro, ndërkohë që me sy të lirë shihet se kullat po mbijnë gjithandej?!
Sipas Edi Ramës, drejtësia, SPAK nuk duhet të hetojë pasi kjo çështje është mbyllur me konkluzionet e prokurorisë, anti-mafia, për përgjimin në fjalë.
Ai vetë ja dha verdiktin për këtë patate të nxehtë që tejkalon përgjimet italiane. Tani të presim se çfarë do të bëjë SPAK, ku i kanë sytë dhe shpresën e fundit shumica e shqiptarëve.