Rama sulmon opozitën nga Londra dhe u kërkon votën shqiptarëve: Fitorja jonë në 2025, vendimtare

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij nga takimi me shqiptarët e Londrës, ka kërkuar votën e tyre, siç tha, edhe për të çliruar opozitën nga pengmarrësit.

“Flamuri ynë kombëtar do ngrihet si i barabartë mes të barabartëve si simbolikë e bashkimit tonë në BE. Ju sot nuk jeni thjeshtë bashkëatdhetarë me të drejtë vote, jeni votues që mund të merrni pjesë në zgjedhje duke ushtruar të drejtën e votës nga këtu ku jeni.

Fare hapur ju them ju dhe gjithë shqiptarëve kudo janë se pranverën e ardhshme e dua votën tuaj nga ky gadishull për t’ju bërë edhe më shumë krenar në sytë e botës e për të bërë Shqipërinë edhe më të mirë, për të gjithë fëmijët, edhe të atyre shqiptarëve që ishin sot të verbuar e të keqkuptuar.

Së bashku me ata pak që ishin futur sot këtu si diversantë që nuk janë fajtor sepse përgjegjësinë e kanë ata që me votë duhet t’i tregoni pranverën e ardhshëm që duhet të largohen nga oborri i mexhelisit tonë ku ka vend për të qenë të ndare në ide e pikpamje, por jo për të qenë të ndarë në këtë formë ku ndasia u shfaq sot, me 3 mijë veta këtu dhe 30 atje jashtë që nuk ndalonin së shari nën shembullin e atyre që bënë Kuvendin si sokakun e të marrëve që shajnë e predikojnë shkatërrim”, tha Rama.

“Nëse ju shqiptarët e botës së lirë do të merrni pjesë masivisht në zgjedhje, për Shqipërinë 2030 në BE, përballja e ardhshme elektorale nuk do të jetë vetëm vendimtare, por përfundimtare, pa kthim pas për progresin dhe shtetbërjen, Fitorja jonë nuk duhet dhe nuk do të jetë fitorja e radhës së një partie ndaj të tjerave por triumfi i një vizioni për botën, i një kuptimi për vlerat njerëzore të respektit. Ju qëllojnë të jeni pranë e njëri të ketë socialist e tjetri demokrat, por nuk i suleni në fyt njeri-tjetrit por i jepni dorën dhe mbështesnin. Kaq e pamundur është që këtë ta bëjë edhe Shqipëria.

Jo, mjafton që shqiptarët që jetojnë me punë e rrisin me mund fëmijët, ta përzënë djallin e ndasisë nga hapësira që ndan shtëpitë e tyre e të përqafojnë alternativën që i bën krenar. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë jo një fitore vendimtare, por përfundimtare edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga histori.

Votoni për të çliruar opozitën nga pengmarrësit dhe për t’ju dhënë lirinë të gjithë atyre që nesër do të duhet t’i qëndrojnë përballë qeverisë që të flasin pa qenë të tmerruar se çfarë kove me ujë do t’i bjerë nga ballkoni.

Po drejtësia dje çfarë ishte? Pazar. E drejta ishte mall, shite, blije. Po pandëshkueshmëria e atyre me kostum dhe pistoletë çfarë ishte deri dje? Një shpullë në sytë e të gjithë njerëzve të zakonshëm. Sot ai realitet është i përmbysur, sot Shqipëria pa dinjitet ndërkombëtar dhe pa respekt për drejtësinë dhe barazinë para ligjit i përket historisë.”, tha ai.

Edhe nga Londra, kryeministri Edi Rama ka ironizuar kryetarin e PD, Sali Berisha por edhe drejtuesit e disa partive të vogla, lidhur me premtimet e këtyre të fundit si për pensionet ashtu edhe për pagat, teksa vendi po i drejtohet zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Rama e quajti Berishën “Sudja e plakur që ulërin nga maja e pallatit”, ndërsa partitë e vogla i përkufizoi si “Sudja që vjen vërdallë”. Kryeministri tha se të ishte për këta, Shqipëria nuk do kishte sot një sistem drejtësie të reformuar dhe as goditje të korrupsionit pa dallime partiake.

“Janë tezga që shesin qilima fluturues si Sudja, Rrapushi, janë Sudja me fytyra të ndryshme, e plakur që ulërin nga maja e pallatit apo Sudja që vjen vërdallë duke takiuar emigrantë duke thënë Shqipërinë e bej unë, të ishte për këta Shqipëria s’do e bënte kurrë reformën në drejtësi, s’do e godiste kurrë korrupsionin pa dallim ngjyrash. S’do e shihnin që një politikan i partisë në pushtet të merrej nga drejtësia, të hetohej dhe të dënohej“, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se fitorja e PS në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një fitore jo vetëm vendimtare, por sipas tij përfundimtare për të çliruar opozitën nga pengmarrësit./BW 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress