Rama takon Vuçiqin: Askush nuk duhet ta nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit

Beograd

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb Aleksandar Vuçiq tha se e askush nuk duhet ta nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, duke bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje, raporton Anadolu.

Në konferencën e mbajtur në Beograd, Rama theksoi se askush nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve deri në atë pikë sa të gjendemi në një situatë të tillë që disa lëvizje të armatosura të mund të fillojnë të bëjnë diçka që nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë.

Në fillim të fjalës së tij, Rama tha se mund të bëhet një plan i ri dhe të hapet një rrugë e re për integrimin e vendeve në tregun evropian.

Kryeministri shqiptar gjithashtu tha se nuk mund të bien dakord për gjithçka, por shtoi se do të bëjnë çmos për të çuar përpara procesin e bashkëpunimit dhe paqes.

Ai përkujtoi se është në një turne nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të diskutojë tema me interes të përbashkët.

Duke folur për tensionet që janë prezente në veri të Kosovës, ai u shpreh se shmang shprehjen e opinioneve në mënyrë publike, për të mos e përkeqësuar situatën dhe për ta kthyer atë në drejtim të gabuar.

“Për mendimin tim, e vetmja rrugë përpara nuk është mënyra e rritjes së tensioneve, por mënyra e dialogut dhe marrëveshjes”, u shpreh Rama.

Ai e vlerësoi si gabim këmbënguljen e palës kosovare për të qëndruar në godinat e bashkive me kryetarët e bashkive që janë zgjedhur në kushte bojkoti.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u shpreh se asnjë person normal nuk pret me padurim mundësi të reja për ndonjë konflikt të ri.

Vuçiq tha se pas dekadave të heshtjes në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, filluan të ndryshojnë trashëgiminë e keqe politike.

“Ne gjithmonë e kemi mbështetur procesin e Berlinit si një format shumë i dobishëm rajonal dhe besojmë se do të kontribuojë në bashkëpunimin e mëtejshëm, procesin e pajtimit dhe tejkalimin e trashëgimisë së kaluarës”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha gjithashtu se iniciativa Ballkani i Hapur solli përfitime të mëdha për të gjithë, duke shtuar se beson që kjo iniciativë në të ardhmen mund të kontribuojë në bashkimin e mëtejshëm të njerëzve.

Duke folur për situatën në Kosovë, presidenti serb u shpreh se dëshiron paqen dhe punon për paqe “sado e vështirë të jetë për ne”

Ai gjithashtu theksoi se duhet të formohet asociacioni i komunave serbe./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne